Këto gjëra edhe nëse i bëni nuk e prishni Ramazanin

Çfare nuk e prish agjerimin?

1. Të ngrënët, të pirët dhe marrëdhëniet seksuale me harresë: Profeti (alejhi selam)thotë: “Kush harron gjatë agjërimit dhe ha ose pi diçka, le ta vazhdojë agjërimin sepse atë e ka ushqyer Allahu i Lartësuar.” (Buhariu & Muslimi)

2. Të vjellët pa provokim: Kjo bazohet në hadithin e përmendur më lart.

3. Futja e pluhurit, grimcave të rërës apo e ndonjë insekti pa dashje në stomak: Dihet që është shumë e vështirë që njeriu të ruhet prej këtyre gjërave. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Dhe nuk ju ka bërë ju vështirësi në fe.” Gjithashtu në këtë logjikë futet edhe mbajtja e ndonjë sendi në gojë, si laps, gomë apo ndonjë gjë tjetër, por me kusht që të mos ketë shije, ngjyrë apo erë që arrin në fyt.

4. Përdorimi i misvakut nuk e prish agjërimin: Profeti (alejhi selam)e ka përdorur atë dhe ka thënë: “misvaku është pastrues për gojën dhe kënaqësi për Allahun.” (Nesaiu & Ibën Huzejme)

5. Përdorimi i gjilpërave joushqyese për trupin, të cilat vendosen në damar ose në mish: Kjo gjë nuk e prish agjërimin për arsye sepse nuk konsiderohet si ushqyes për trupin. Në këtë pjesë si shembull mund të përmendim kurimin me ilaçe mbi plagë të ndryshme, edhe në qoftë se ilaçi arrin të depërtojë në brendësi të trupit. Nuk duhet harruar se transfuzioni i gjakut dhe serumi e prishin agjërimin, pasi janë ushqyese për trupin e njeriut.

6. Përcjellja e pështymës ose e ushqimit që ndodhet ndërmjet dhëmbëve, nëse është shumë pak.

7. Futja e ujit në gojë, me kusht që të mos shkojë në fyt: Kjo ndodh kur marrim abdest apo kur shpëlajmë gojën për shkak të vapës. Lejohet gjithashtu edhe larja e trupit për freskim etj., se Profeti alejhi salatu ue selam e ka lagur kokën e tij gjatë agjërimit nga etja ose vapa, siç transmetohet nga Ahmedi dhe Ebu Davudi.

8. Puthja e gruas, prekja, përqafimi etj. Kjo vlen për ato raste kur njeriu e kontrollon veten. Aishja r.a. thotë: “Profeti (alejhi selam)ka puthur gjatë agjërimit dhe ka qëndruar në intimitet, por ishte më i vetëpërmbajturi ndaj epshit të tij krahasuar me ju.” (Ahmedi)

9. Ai që ha, pi ose bën diçka tjetër nga ato gjëra që e prishin agjërimin me mendimin se akoma nuk ka filluar dita e agjërimit. Ky person nuk e ka prishur agjërimin, pasi origjina është vazhdimi i natës dhe dyshimi i tij nuk merret në konsideratë.

10. Provimi i shijes së ushqimit me majën e gjuhës nuk e prish atë.

11. Larja e dhëmbëve, me kusht që pasta e dhëmbëve mos ta kalojë fytin.

12. Shkulja e dhëmbëve ose kurimi i tyre, në qoftë se lëndët e përdorura nga mjeku nuk arrijnë në fyt.