Këto janë disa nga mashtrimet më të mençura në internet

Mashtrimet e maskuara në ueb faqe të rreme, malware të fshehur në hot-spotet e Wi-Fi janë disa nga rreziqet me të cilat përdoruesit e internetit përballen, por në fakt janë edhe disa mashtrime tjera, të cilat janë prej më të mençurave në internet, transmeton KosovaPress.

Email i rremë nga rrjetet sociale

Kjo metodë tipike e phishing vjen në formë të emailit të rremë, i cili duket se ka ardhur nga rrjetet e vërteta sociale. Ata mund t’ju lajmërojnë se keni vizitorë të ri të rëndësishëm, ose t’ju paralajmërojnë se dikush ka tentuar të ketë qasje në llogarinë, në të cilën duhet të lajmërohemi për të konfirmuar identitetin tuaj.

Klikimi në vegëzat e emailit mund t’ju dërgojë në një ueb faqe të rreme. Nëse jepni të dhënat në këtë faqe atëherë të gjitha të dhënat tuaja do të vidhen. Pas kësaj, mund të pasojnë porosi të dyshimta tek miqtë ose familjarët tuaj, por më e keqja është se mund edhe të shantazhoheni.

Si të shmangemi nga kjo situatë?

Mos klikoni në vegëza, nëse ato ju vijnë përmes rrugës së emailit. Mos hyni në notifikime në email, por shikoni direkt në rrjetet sociale. Po ashtu, aktivizoni verifikimin e dyfishtë të të gjitha llogarive tuaja në rast se dikush tenton që të hyjë në to përmes një kompjuteri të panjohur.

Nëse ua vjedhin emailin tuaj, atëherë hakerët mund të dërgojnë email të rremë te të gjitha kontaktet tuaja. Këta email përmbajnë një link i cili dërgon në një ueb faqe të rreme, ku prej jush kërkohet të shkarkoni bazën e të dhënave. Nëse bëni një gjë të tillë, atëherë do të merrni një virus destruktiv, i cili do të mbyllë të gjitha bazat tuaja të të dhënave, për zhbllokimin e të cilave nga ju do të kërkohet që të paguani një shumë të caktuar parash. Edhe nëse e bëni këtë, prapë mund të ndodhë që t’ju kenë mashtruar. Të dhënat tuaja prapë nuk do të zhbllokohen, ndërkohë që ju keni paguar.

Ftesë e papritur për miqësi

Nëse pranoni ftesën, mashtruesit mund të kenë qasje në informata personale dhe do t’i përdorin ato për të pasur qasje në llogarinë tuaj bankare. Kjo arrihet vetëm nëse posedojnë emrat e familjarëve tuaj, si dhe datëlindjen tuaj, të cilat i përdorin për t’u përgjigjur në pyetjet sekrete, ose edhe për të zbuluar fjalëkalimin tuaj. Pas kësaj mund të dërgojnë vegëza në faqe mashtruese, të cilat nga ju do të kërkojnë para.

Si të shmangemi nga kjo situatë?

Thjesht: mos pranoni ftesat e personave të panjohur. Nëse dikush me të cilin tashmë jeni miq në jetën e vërtetë, ju dërgon kërkesë për miqësi, rekomandimi më i mirë është që t’i thirrni dhe t’i pyetni nëse kanë edhe ndonjë llogari tjetër.

Po ashtu, çfarëdo që të bëni, mos ndani informacione private, të cilat mund të përdoren për të hyrë në llogarinë bankare, transmeton KosovaPress.

Hot-spotet falas Wi-Fi

Ky mashtrim bëhet në mënyrë shumë të thjeshtë. Kriminelët me ndihmën e laptopit vendosin një hot-spot falas Wi-Fi në kafene ose aeroport. Pasi të lidheni, personi ka qasje në pajisjen tuaj dhe mund të kërkojë të dhënat personale, ose ato financiare.

Si të shmangemi nga kjo situatë?

Në telefonin ose kompjuterin tuaj mund të vendosni opsionin për mos qasje automatike në Wi-Fi të hapur dhe aktivizoni opsionin ‘Ask to join new Networks’.

Po ashtu, mund ta mbani të shuar Wi-Fi në pajisjen tuaj, me përjashtim nëse e përdorni. Nëse dëshironi të kyçeni në Wi-Fi e kafenes, kërkoni nga i punësuari për emrin e rrjetit para se të lidheni. Po ashtu, asnjëherë mos bëni transaksione financiare përmes rrjeteve të tilla. Nëse udhëtoni shpesh, investoni para dhe siguroni hot-spotin tuaj me fjalëkalim, të cilin mund ta keni vazhdimisht me vete.

Pop-up scareware

Derisa jemi duke shfletuar në internet, për momentin, në mënyrë krejt të papritur, hapet një dritare në mes të ekranit, e cila na paralajmëron se pajisja jonë është e infektuar me viruse. Për ta larguar, kërkohet që të shkarkohet një program i rremë, i cili në fakt është kurth për të marrë të dhënat tuaja bankare.

Si të shmangemi nga kjo situatë?

Thjesht: mos klikoni në linka, të cilat ofrojë reklama pop-up. Instaloni programin e antivirusit në kompjuter, i cili do t’ua lehtësojë punën. Po ashtu, rekomandohet edhe instalimi i bllokuesve të pop-up në të gjithë shfletuesit. Për secilin rast, rekomandohet që të dhënat e rëndësishme të ruhen në një disk të jashtëm.