keto jane kartemonedhat qe do te leshohen ne qarkullim te ejten

Nga 15 dhjetori në qarkullim do të lëshohen kartëmonedhat në vlerë prej 200 dhe 2.000 denarësh, ndërsa do t’i tërhiqen nga qarkullimi kartëmonedhat prej 5.000 denarësh.

Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë njofton se vendimi për lëshimin e kartëmonedhave në vlerë prej 200 dhe 2.000 denarësh ka dalë nga nevoja e shqyrtuar reale për ribalancimin e strukturës ekzistuese të vlerave të kartëmonedhave në qarkullim.

“Struktura ekzistuese e vlerave të kartëmonedhave të cilat janë në qarkullim prej 8 shtatorit 1996 deri më sot nuk ka pësuar ndryshime dhe vendosja e këtyre kartëmonedhave të tjera paraqet ndryshimin e parë që zbatohet pas periudhës 20-vjeçare. Ky vendim është sjellë në bazë të hulumtimeve dhe analizave të faktorëve ekzistues, me ç’rast u përcaktua se ekzistojnë nevoja reale për vendosjen e dy kartëmonedhave të reja. Vendosja do të mundësojë rritje të ofertës së kartëmonedhave të cilat janë në dispozicon gjatë kryerjes së transaksioneve me para të gatshme, ndërsa si efekt sekondar pritet balancimi i kërkesës për denominime të caktuara”, sqarojnë nga BPRM.

Që atje theksojnë se kartëmonedhat me vlerë prej 5.000 denarësh nuk janë pranuar nga opinioni më i gjerë për shkak të vlerës së tyre të lartë nominale dhe se është kufizuar përfaqësimi gjatë kryerjes së transaksioneve të gatshme dhe këmbimi, fillimisht në tregti. “Zbatimi i tyre në transaksionet e përditshme është i parëndësishëm”, thonë nga BPRM.

Theksojnë se nevojë për kartëmonedha me këtë denominim nuk kanë paraqitur as bankat dhe në vend që sasia e tyre në qarkullim nga viti në vit të rritet, ajo vazhdimisht ka rënë dhe prandaj ato do të ndalojnë së qeni mjet ligjor për pagesë më 15 dhjetor 2016.

Bankat afariste në Republikën e Maqedonisë do t’i këmbejnë kartëmonedhat me vlerë prej 5.000 denarë prej 15 dhjetorit 2016 deri më 28 shkurt 2017, ndërsa nga 1 marsi 2017 zëvendësimi i tyre do të bëhet nga Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë.