KËTO JANË PROJEKTET E KULTURËS SIPAS SHEHABIT

Buxheti i Ministrisë së Kulturës për vitin 2017 arrin pothuajse 4.1 miliardë denarë dhe në krahasim me buxhetin për vitin 2016 është më i madh për 15.43 për qind. Mjetet programuese për këtë vit arrijnë 893.367.000 denarë dhe me intensitet të madh do të mbështeten projekte nga interesi kombëtar nga të gjitha veprimtaritë e kulturës. Këtë në konferencën e sotme për shtyp e theksoi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës Behixhudin Shehabi. Ai kumtoi se në institucionet do të realizohen më shumë manifestime premierë, ndërsa mbështeten manifestime premierë të operave, baleteve dhe veprave të baleteve për fëmijë. Janë paraparë turne të Operës dhe Baletit në Qendrat për kulturë, nëpër shtet, koncerte simfonike të Filarmonisë së Maqedonisë në Shkup dhe qytetet tjera nëpër Maqedoni. Shehabi tha se tradicionalisht do të realizohen shumë manifestime si “Shiko muzikë – dëgjo fotografi – merr libër”, “Tingujt e Çarshisë”, “vera kulturore”, “Dimri kulturor”, “Vala kulturore e të ngrohtit”… Sekretari shtetëror informon se në veprimtarinë botuese në vitin 2017 janë mbështetur 426 projekte (336 publikime, 39 revista, 23 projekte nga botimi elektronik dhe 28 projekte të shoqatave letrare dhe manifestime letrare). Theksoi se këtë vit te projektet në gjuhën shqipe ka rritje, sipas cilësisë dhe sasisë. Janë mbështetur më shumë se 115 libra, katër edicione elektronike dhe katër revista. Nga projektet më të mëdha të cilat këtë vit do të përfundojnë dhe do të promovohen janë salla e re e koncerteve në Filarmoninë e Maqedonisë, teatrin në Strumicë, rikonstruimi dhe sanimi i Teatrit Kombëtar Shqiptar në Shkup, ndërtimi i Tetarit Turk, qendra kulturore-arsimore në Tetovë. Hamdi Rashidi, anëtar i Komisionit për aktivitete të dramës theksoi se është i kënaqur nga projektet shqiptare, sipas numrit dhe cilësisë. “Kemi risi sivjet. Në Dibër për herë të parë kemi Festival të kukullave dhe festival të ri teatral në Gostivar. Gjithsej festivale shqiptare do të kemi gjashtë, në Shkup, Tetovë, Gostivar, Strugë dhe Dibër”, tha Rashidi.