Kimikatet nga sapuni ulin kualitetin e spermës

Parabeni gjendet si përbërës në shumë shampone, sapunë, pastrues, xhel flokësh, produkte tualeti të fytyrës, veçanërisht për gratë, detergjente, krem për rrezitje, etj.

Ky lloj përbërësi ul kualitetin e spermatozoideve dhe ndryshon formën e tyre, si dhe madhësinë e tyre, duke i bërë abnormale, gjë e cila lidhet me mos pjellorinë,  pohojnë shkencëtarët.

Parabeni ndryshon edhe ADN në spermë dhe kufizon shpejtësinë e spermatozoideve. Kjo shkakton probleme në ngjizje. Paraben ka kudo rreth nesh, shkruan Daily Mail.

Ekspertët thonë se është vështirë të shmanget parabeni, por duhet përpjekur për uljen e ndikimit të tij në trupin tonë, duke përdorur prodhime, në të cilat shkruan se nuk përmbajnë paraben.

Në një studim të kryer është bërë analiza e urinës së 315 meshkujve, të cilët më parë kishin vizituar klinikën për pjellori. Sasia e parabenit në këto mostra ka qenë dukshëm e lidhur me pjellorinë.  Lloji më i rrezikshëm i parabenit, butilparaben, është treguar jashtëzakonisht i dëmshëm për spermë dhe ndikon dukshëm në rënien e kualitetit të saj, transmeton KosovaPress.

Parabeni përdoret edhe në kozmetikë, industrinë farmaceutike, pesticide, plastikë, lodra, etj.

Më të shpeshtët janë metilparaben, propilparaben dhe butilparaben. Prodhuesit ndonjëherë kombinojnë parabenët për të forcuar ndikimin e tyre.  Vetëm disa prej tyre janë të ndaluar në BE, por janë të lejuar në pjesët tjera të botës. Agjencia amerikane për ushqim dhe barna (FDA) lejon përdorimin e tyre.

Përveç ndikimit në pjellori, parabeni mund të shkaktojë probleme neurologjike dhe të imunitetit, paralajmërojnë ekspertët e Institutit nacional shëndetësor në SHBA.

Ata janë rrezik potencial në shkaktimin e kancerit të gjirit, konfirmon një studim i Universitetit Reding.

Parabeni, sipas një studimi tjetër shkencor, mund të shkaktojë çrregullimin e gjëndrës tiroide dhe të ndikojë në shkaktimin e kancerit të lidhur me hormonet.