Kisha e Shën Marenës, aty ku bashkohet mistikja me artin

Kisha dhe manastiri i Shën Marenës, ndodhen në veri të fshatit Llëngë, Pogradec, me një pamje dominuese në majë te malit mbi lumin Shkumbin. Ato konsiderohen ndër destinacionet kryesore të karakterit fetar, kulturor dhe turistik të Pogradecit.

Kisha është një ndërtesë e vogël afërsisht 8-12 metra e gjatë. Altari është i ndarë nga pjesa qendrore e kishës me një ikonostas druri 6 m të gjerë dhe 4 m të lartë. Gjithë pjesa e brendshme e kishës është e mbuluar me afreske që i përkasin dorës së mjeshtrit të këtyre zonave, Kostandin Shpatarakut.

Të vendosura mes gjelbërimit të pyjeve, Kisha dhe manastiri i Shën Marenës, mbrohen natyrshëm nga malet dhe grykat e thella, nëpër të cilat vërshojnë gurgullueshëm përrenjtë ujëplotë të Shkumbinit.

E ndërtuar në vitin 1754 si objekt kulti për shenjtoren çudibërëse Marenë, e cila sipas legjendës mendohet se vinte nga Pisidia e largët e Azisë së Vogël, e zbukuruar me afresket e pikturuara nga mjeshtri Kostandin Shpataraku, kisha e Shën Marenës përbën sot veçantinë e një vend peligrinazhi jo vetëm për besimtarët ortodoksë por edhe nga besimtarë të feve të tjera.