Kisha e Shën Stefanit në Blinisht, destinacion turistik

 

Kisha Katolike mesjetare e Shën Stefanit e cila ndodhet te varrezat e fshatit Blinisht, Zadrimë/Lezhë, sot është një destinacion për turizmin historik dhe kulturor.

Kisha është ndërtuar përgjatë periudhës së kalimit nga shek. XI për në shek. XII dhe më vonë, ky objekt kaq unik i është nënshtruar disa ndërhyrjeve të reja restauruese, por edhe modifikimeve strukturore si në fund shek. XIII nga princat e dinastisë Blinishti, të cilët pranë kësaj Kishe kishin ndërtuar edhe rezidencën e tyre dimërore.

Në vitet 40-të të shek. XV ky objekt pësoi një transformim rrënjësor kur me urdhër të princit Nikollë Dukagjini, Kishës së Shën Stefanit iu bashkëngjitën 8-pilastra me gurë të skuadruar të mbështetur në muret anësore të navatës dhe mbi këto pilastra u ndërtua struktura e re e çatisë me qemer në formën e harkut gotik, poshtë të cilit qëndronin harqet e verbra me gurë shtufi, etj.

Që nga rindërtimi i fundit i këtij objekti religjioz në vitin 1704 dhe pasi banorët e Blinishtit e braktisën vendbanimin e vjetër duke u vendosur ne vendbanimet e tyre të reja, në fshatrat Blinisht, Gjadër dhe Piraj, kjo kishë është mirëmbajtur në mënyre modeste, por pas revolucionit kulturor ateist në vitin 1967 dhe pasi kjo kishë u shpall monument kulture i kategorisë një në vitin 1984, ajo është lënë dhe vazhdon të mbetet në mëshirën e fatit.

Këto objekte të trashëgimisë sonë kulturore, veç të tjerash janë dhe një aset i shtuar në ekonominë shqiptare përmes turizmit kulturor.