Kjo është e vërteta e “hyrjes” së Ushtarëve serb në territorin e Kosovës

Një fotografi e bërë nga anëtarët e ushtrisë amerikane së bashku me ushtarë serbë, bëri bujë në Kosovë – për atë se si serbët mund të hyjnë në territorin e Kosovës.

Por nga KFOR thonë se kjo fotografi nuk është bërë brenda territorit të Kosovës, por në vijën kufitare serbo-kosovare, njofton Klan Kosova.

“Në përputhje me mandatin, Rezolutën 1244 dhe me Marrëveshjen Tekniko Ushtarake, KFOR kryen aktivitetet e monitorimit të kufirit. Këto kryen rregullisht në bashkëpunim me Ushtrinë e Serbisë ose edhe me Policinë Kufitare të Kosovës”, thuhet në përgjigjen zyrës për media të KFOR-it, dërguar Klan Kosovës.

“Aktivitetet janë bërë brenda zonave të miratuara përgjatë vijës kufitare serbo-kosovare. Fotografia e përmendur është bërë në njërën nga këto zona dhe kjo nuk tregon forcat serbe në territorin e Kosovës”.

Ndërsa sipas mediave serbe kjo fotografi është realizuar më 16 dhjetor të vitit të kaluar nga rreshteri amerikan, Caleb Bario, i cili ishte pjesë e patrullës.