Kjo jave vendimtare per formimin e qeverise

Pavarësisht se mandatarit Nikolla Gruevski i kanë mbetur edhe një javë për formimin e Qeverisë së re, VMRO DPMNE dhe BDI akoma nuk kanë filluar negociatat për koalicionin e ardhshëm. Nga BDI-ja thanë se organet partiake në takime të përhershme i analizojnë të gjitha argumentet dhe pasojat për zgjedhjen e partnerit në Qeverinë e re. Në VMRO DPMNE mbeten me qëndrimin se Komiteti qendror dhe ekzekutiv i partisë ia ka dhënë besimin Nikolla Gruevskit për të vazhduar me negociatat për formimin e kabinetit të ri qeveritar. Mandatari Nikolla Gruevski në disa raste ka përsëritur se dygjuhësia e plotë dhe vazhdimi i mandatit të Speciales për partinë e tij janë të papranueshme. Megjithatë në BDI insistojnë në zyrtarizmin e shqipes dhe zgjatjen e mandatit për Prokurorinë Speciale Publike. Edhe pse mandati është në duart e Nikolla Gruevski, kreu i LSDM-së opozitare përsëriti së fundmi se Gruevski nuk do të mund të formojë Qeveri deri më 29 janar.