Klinikat, spermë e vezore nga vendet fqinje

IGazeta “Zëri” ka zbuluar përmes një hulumtimi se spitalet private që po merren me procedura të IVF-së po manipulojnë duke bërë përzgjedhjen e gjinisë dhe duke blerë spermë e vezore nga shtetet fqinjë, si: Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, etj.

Këto dilema janë ngritur edhe në një raport zyrtar, i cili tashmë është në duart e ministrit Imet Rrahmani

Klinikat private të cilat merren me fekondimin artificial, përmes procedurës së ashtuquajtur të In Vitro Fertilizimit (IVF) po sigurojnë spermën dhe qelizat vezë nga shtetet fqinjë, si Maqedonia, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe pjesërisht edhe nga donatorë nga Kosova.

Dhuruesit kryesisht janë studentët që spermën dhe qelizat vezë i shesin në marrëveshje me spitalet që ofrojnë shërbimet IVF, ka zbuluar përmes një hulumtimi gazeta “Zëri”.

Këtë informacion, tashmë të konfirmuar edhe nga burime zyrtare, gazeta “Zëri” e ka marrë fillimisht në kushte konfidenciale nga një burim zyrtar brenda Ministrisë së Shëndetësisë.

Por dyshimi se sperma dhe qelizat sigurohen nga vendet fqinjë përmendet edhe në një raport tejet sensitiv, që tashmë ka arritur në kabinetin e ministrit Imet Rrahmani. Po ashtu, aty ngrihen dyshime për përzgjedhjen e gjinisë gjatë procedurave të IVF-së, akt ky i ndaluar rreptësishtë me ligj.

Raporti i zbuluar nga ana e gazetarit të “Zërit” është përpiluar nga Komisioni për Fertilizimin e Asistuar Mjekësor (KFAM), që kryesohet nga Myrvete Paçarada. Ndërkaq, anëtarë të Komisionit janë: Fehmi Ahmeti, Shqiponja Ponosheci, Afrim Muhaxheri, Xhevdet Çuni, Faik Hoti dhe Makfire Zeneli. /Zëri/