Koalicionimet e mundshme mes partive

Ndonëse zyrtarisht BDI-ja ende nuk ka filluar bisedimet për formimin e qeverisë së re me asnjërën nga partitë maqedonase, zyrtarë të lartë të kësaj partie publikisht kanë filluar të flasin kundër bashkëpunimit me partnerin e deri tanishëm Nikolla Gruevskin, për shkak të retorikës së tij anti-shqiptare dhe anti perëndimore. Gjatë një interviste televizive, vetë nënkryetari i BDI-së Nevzad Bejta tha se nuk ka asnjë shqiptarë që dëshiron bashkëpunim me Gruevskin ndërsa zëdhënësi partiak Bujar Osmani tha se vendimi për koalicionim nuk do të jetë në kundërshtim me vullnetin e shqiptarëve.

“Ne kemi diskutuar për qasjen e partisë por nuk ka një vendim final pasi do të duhet të bashkërendohet edhe me partitë tjera shqiptare sepse për ne është me rëndësi që tani të dalim me platformë të përbashkët shqiptare dhe para se të koordinohen me partitë tjera nuk do të finalizohet qëndrimi i BDI-së në këtë drejtim”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Nëse Ahmeti vendos të braktis Gruevskin dhe përcaktohet për bashkëpunim me Zaevin, qeverinë mes LSDM-së dhe BDI-së në Kuvend do ta mbështesin edhe dy deputetët opozitarë të PDSH-së për të arritur 61 votat e nevojshme. Nuk përjashtohet mundësia që një koalicion i tillë të përkrahet edhe nga 3 deputetët e Aleancës për Shqiptarët pasi Ziadin Sela përjashtoi në mënyrë të prerë bashkëpunimin me Gruvskin.

“Nuk do të hy kurrë në qeveri me Nikolla Gruevskin, por do ta kushtëzoj Zoran Zaevin”, deklaroi Ziadin Sela, kryetar i LR-PDSH-së.

Nga Lëvizja BESA, thonë se mbështetjen e deputetëve të tyre nuk mund të llogarisë asnjë koalicion ku përfshihen politikanët e dyshuar të BDI-së.

“Lëvizja Besa nuk merr pjesë në asnjë lloj matematike të qeverisjes së ardhshme aty ku marrin pjesë njerëzit e inkriminuar të BDI-së. Ne do të mbetemi një opozitë e shëndosh sepse ashtu kanë vendosur qytetarët dhe ne do ju qëndrojmë besnik atyre qytetarëve”, tha Zejd Rexhepi.

Ndërkohë, përfaqësuesit e partive shqiptare nga Shkupit sot pritet të takohen sërish në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, i cili po bën përpjekje për të unifikuar qëndrimet e faktorit shqiptarë në Maqedoni në interes të avancimit të çështjes kombëtare. Por nuk jepen të dhëna nëse politikanët nga Shkupi do të ulen në një tryezë me Ramën apo ky i fundit do të zhvillojë me ta takime kokë më kokë/alsatm