Koce Trajanovski në garë edhe për një mandat tjetër (VIDEO)

Koce Trajanovski edhe zyrtarisht do të kandidojë për të parin e Qytetit të Shkupit. Ilija DImovski nga VRMO-DPMN-ja tha se kjo parti nuk do të rrezikojë me kandidatë të tjerë përpos Trajanovskit, meqë sipas tij Trajanovski është favorit në të gjitha komunat që përfshinë kryeqyteti. VMRO-ja gjatë ditës shpalosi edhe emrat e disa kandidatëve të cilët partia do t’ja propozojë Komitetit Qëndror. Në shumë komuna të vendit, VMRO-ja do të dalë me kandidatët e deritanishëm, edhe atë: në Prilep, në Demir Kapi, në Vevçan e të tjerë. Për Gjorce Petrovin VMRO-ja propozon si kandidat ish ministrin Vllado Misajllovski, i cili sipas tyre do të jetë kandidati më i denjë që deri më tash ka pasur kjo komunë. Në Komunën e Tetovës VMRO-DPMNE-ja do të garojë me Goran Manjallovski kurse në atë të Gostivarit me Dafina Stojanovskën.
Nga LSDM-ja thonë se vazhdojnë me shqyrtimin e kandidaturave të mundshme për komunat ku akoma nuk kanë zyrtarizuar emra. Gjatë ditës së djeshme LSDM publikoi zyrtarizimin e kandidaturës së nënkryetarit të saj Petre Shilegov për Qytetin e Shkupit, kurse në Haraçinë, siç është njoftuar kohë më parë në garë do të dalë Melekije Alimi, në Butel, Borçe Georgievski, në komunën e Gazi Babës Aleksandar Naumovskin për komunën Gjorçe Petrov dhe Stefan Bogoev për komunën Karposh.
Partitë shqiptare akoma zyrtarisht janë pa kandidatura të reja. Nga BDI thonë se nuk është vendosur për ndonjë emër të ri. Ndërkaq deri më tani kjo parti ka zyrtarizuar vetëm tre kandidatura edhe atë ish deputetin e saj Femi Jonuzin për kryetar të komunës së Studeniçanit, Visar Ganiun për kryetar të Çairit dhe Fatmir Deharin për Kërçovën. Siç flitet jo zyrtarisht BDI në Tetovë dhe Gostivar do të kandidojë me krerët e deritanishëm Arifi dhe Bejta, ndërkaq ish ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti deri më tani paraqitet si kandidati më potencial për komunën e Sarajit. Nga Lëvizja Besa po ashtu thonë se vazhdojnë me konsulta brenda partiake për nxjerrjen e kandidatëve për kryetarë komunash, ndërkaq siç mëson Alsat kreu i këtij subjekti Bilall Kasami do jetë kandidat për komunën e Tetovës ndërkaq për Gostivarin flitet emri i Asaf Ademit, i cili me profesion është inxhinier.
Nga Aleanca për Shqiptarët deri më tani kanë shpallur vetëm kandidaturën e Arben Taravarit për të parin e komunës së Gostivarit. Ndërkaq siç mëson Alsat, Mexhit Imeri do të jetë kandidati i Aleancës për komunën e Studenicanit. PDSH deri më tani nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidat ndërkaq emri i vetëm që përflitet nga parti është ai i Bekim Fazliut për kryetar të komunës së Sarajit.