Kodra e Diellit ende pa ashensorë skijimi

Pavarësisht paralajmërimeve se ashensorët për ski në Kodrën e Diellit do të lëshoheshin në përdorim, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ekipi i Alsat vërejti se ishte lëshuar vetëm teleferiku me dy ulëse por edhe ai me ndërprerje të shumta. Ndërkohë turistët jo vetëm që me vështirësi gjenin bileta pasi asnjëra nga biletaritë nuk funksiononte, për shkak të defekteve të shpeshta mbetshin në ajër të ftohtë disa minuta.

“Pikërisht shkaku i këtyre defekteve bëjnë që turistët të presin edhe nga gjysmë ore në këtë të ftohtë në teleferik ndikon që të njëjtët të largohen nga pika turistike Kodra e Diellit, sepse hasin në të shumë pengesa”- thotë një turist.

Ndërkaq terrenet e papërshtatshme përbëjnë zhgënjim shtesë për skiatorët. Makinat për përpunimin e terreneve të skijimit, rrinin parkuar, ndërkohë që bora nuk ishte e shtypur si duhet.

“Fatkeqësisht u zhgënjyem shumë, terrenet e skiimit janë pa shtypur, këto makinat e borës rrinë këtu. Fatkeqësisht ky terren shpesh ka edhe shumë erë dhe borën e bart era, makinat nuk e shtypin pra është fatkeqësia jonë dhe e njerëzve që vijnë turistë këtu. Shenjat janë se ka ndonjë prapavijë, fatkeqësisht ”.

“Për fat të keq nuk funksionon asgjë. Ski lifti që ishte ski lifti me dy ulëset që ishte i paraparë të punojë tash nuk punon dhe siç e shihni edhe vet pistat nuk janë gati. 15 vitet e fundit këtu nuk është ngulitur asnjë dërrasë, këtu ka nevojë për mbrojtje të pistave – shprehen të revoltuar pronarët e hoteleve.

Drejtorët e Kodrës së Diellit, si ai shqiptar edhe ai maqedonas, refuzuan të prononcohen për Alsat me arsyetimin se nuk kishin leje të flisnin para kamerave.

Ndërkohë njëri nga drejtuesit e ashensorëve për ski i cili nuk pranoi të flasë para kamerave theksoi se Kodra e Diellit këtë vit qëllimisht është lënë pas dore.