Koleksioni i parë i pikturave origjinale të mjeshtrave europianë, ekspozohen në Shqipëri

Mbi njëqind kryevepra të artit italian të viteve 1900, të ardhura nga Galeria e Artit Modern të Romës, kanë mbërritur në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Tiranë, për t’u ekspozuar për artdashësit kryeqytetas.

Lajmi bëhet i ditur nga kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetin social Facebook. “Kryeveprat e Novecentos Italiane mbërrijnë në Tiranë. I pari koleksion pikturash origjinale të mjeshtrave europianë që ekspozohet në Shqipëri. Një vit përgatitje e procedura speciale për një premierë të posaçme në Galerinë Kombëtare të Arteve – Ceremonia e hapjes në 15 janar”, shprehet kryeministri Rama.

Ekspozita, e kuruar nga Maria Catalano, Federica Pirani dhe Stefano Roffi, ka për qëllim të prezantojë kulturën artistike të Romës në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, gjuhët që janë ndjekur, artistët dhe lëvizjet e referencës, duke kaluar nga Simbolizmi, Secesioni, Futurizmi, Klasicizmi i Ri, Shkolla Romane, Abstraktizmi.

Ekspozita shoqërohet me një katalog dygjuhësh në italisht dhe shqip, botuar nga Silvana Editoriale.