Komiteti i Helsinkit: Përzgjedhja e gjykatësve në Maqedoni është e dyshimtë

Instituti për të Drejtat e Njeriut, pas monitorimit të punës së Këshillit Gjyqësor, vlerëson se zgjedhja e gjykatësve në gjykatat në Maqedoni është e kontestueshme dhe e dyshimtë.

Në vend që të zgjedhë gjykatës, Këshilli bën vetëm emërimin e gjykatësve në gjykatat e shkallës së parë. Nga Instituti thonë se anëtarët e Këshillit gjyqësor veprojnë në mënyrë selektive në marrjen e vendimeve dhe punojnë sipas urdhrave.

“Në lidhje me zgjedhjen e gjykatësve, Këshilli Gjyqësor bën zgjedhjen e gjykatësve në gjykatat e shkallës së parë vetëm nga lista që i dorëzohet nga ana e Akademisë për gjykatës dhe prokurorë, ndërsa ajo listë është shumë diskutabile nëse shikohen notat, probleme ka në vetë vlerësimin e përgatitjes së asaj liste”, tha Margarita Caca Nikolovska nga Instituti i të Drejtave të Njeriut.

Ranko Marjan, gjyqtar i Gjykatës Supreme në Kroaci dhe ish-kryetar i Këshillit gjyqësor të Kroacisë thotë se çdo vend ka nevojë për një gjyqësor të pavarur.

“Çdo shteti i duhet një gjyqësor i pavarur, dhe që të ketë një gjyqësor të pavarur duhet dhe të ketë një organ i cili sipas kritereve objektive dhe profesionale do të din dhe do të jetë në gjendje t’i përzgjedh më të mirët. Të gjithë duhet të dinë se liria e mediave varet nga gjyqësori i pavarur dhe kjo është njëlloj ashtu si gjyqësori i pavarur varet nga liria e mediave të cilët do të dinë se si ta promovojnë pavarësinë e gjyqësorit mbi çdo politikë”, ka thënë ai.

Nga Komiteti i Helsinkit konstatuan se seancat e Këshillit Gjyqësor caktohen pak para se të mbahen.

Në raport theksohet edhe se Këshilli Gjyqësor nuk është transparent dhe nuk e informon opinionin në lidhje me vendimet esenciale për të cilat është votuar, si dhe cilat kanë qenë argumentet për dhe kundër zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave./Alsat M/