Kompania ajrore “Air France” s’i lejon 21 udhëtarë nga vendet myslimane që të udhëtojnë për në SHBA

Kompania ajrore “Air France” s’i lejon 21 udhëtarë nga vendet myslimane që të udhëtojnë për në SHBA

Kompania ajrore me bazë në Francë, “Air France”, nuk i ka lejuar 21 udhëtarë nga vendet myslimane që të udhëtojnë për në SHBA, duke thënë se atyre gjithsesi do t’iu ndalohej hyrja në SHBA, në bazë të urdhrit të presidentit Donald Trump për ndalimin e emigrantëve nga vendet myslimane.

Në një komunikatë për media, kjo kompani tha se të shtunën u njoftua nga Qeveria e SHBA-së rreth kufizimeve të reja, dhe se nuk kishte zgjidhje tjetër pos t’ua ndalonte udhëtarëve hyrjen në aeroplanin që për destinacion kishte SHBA-në, transmeton Express.

Një zëdhënëse e kësaj kompanie ka thënë se 21 persona janë kthyer në pikën e tyre të nisjes për të cilët janë kujdesur autoritetet. Ajo nuk ka dhënë detaje rreth emrave apo kombësisë së udhëtarëve.

Edhe agjencitë e tjera ajrore e kanë bërë të njëjtën gjë.

Urdhëri ekzekutiv i Donald Trump-it i prek qytetarët e këtyre vendeve: Iranit, Sirisë, Irakut, Sudanit, Libisë, Somalisë dhe Jemenit.