Konferencë me rastin e Ditës së Gruas Sipërmarrëse: Fuqia e gruas në zhvillimin e bizneseve

 Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimiore me rastin e Ditës ndërkombëtare të grave sipërmarrëse, në bashkëpunim me Shoqatën e grave afariste,  Lidhjen e odave ekonomike, Shoqatën ELIT, agjencionin Marili dhe IME, organizuan konferencën për sipërmarrësinë e grave.

Në takim, Kryetarja e Grupacionit të Grave pranë OEMVP znj. Gëzime Fejzi vlerësoi rolin e gruas sipermarrëse dhe kërkoi rritjen e rolit të saj në shoqëri dhe prezantoi masat që ndërmerr Oda për të mbështetur dhe nxitur rritjen e sipermarrjes femërore në vend. Ajo nënvizoi faktin se “sa me e lartë të jetë pjesëmarrja e sipermarrjes femërore në fushat ekonomike, aq më të zhvilluara nga pikëpamja sociale dhe e mirëqënies janë vendet ku ato zhvillohen”.

Në këtë konferencë u prezantuan edhe konkludimet e hulumtimit ”Situatat e grave sipërmarrëse në Maqedoni”, i zbatuar me 1024 gra në 12 qytete. Fuqia e gruas në zhvillimin e bizneseve të vogla konsiderohet si një rrugë shumë e suksesshme për të fuqizuar ekonomikisht atë dhe si pjesë e shoqërisë, një potencial i madh emancipues. Por jashtë përfaqësimit mbeten ende gratë që drejtojnë biznese të mesme dhe të mëdha, për të cilat mungojnë studimet.

Qëllimi i konferencës është përforcimi dhe zhvillimi i dialogut për nxitje për gratë sipërmarrëse në pozitat lidere në Maqedoni, si dhe rritje e mundësive për përfshirjen e tyre më intensive në organe dhe organizata në Republikën e Maqedonisë.