Konkursi “Miss Globe”, këtë vit në Tiranë

Pas suksesit në Kanada, vitin e kaluar, ku për herë të parë një producent shqiptar organizoi në një vend të huaj një spektakël bukurie të përmasave ndërkombëtare, “Deliart Association” kthehet në Shqipëri, jo thjeshtë si organizator i “Miss Globe”, por si mbajtës i patentës së këtij kompeticioni ndërkombëtar. Spektakli i bukurisë regjistrohet si patentë e “Deliart Association”, me emrin “The Miss Globe”. Ky është marrë si vendim unanim nga të gjithë drejtorët nacionalë, rreth 30 të tillë, të cilët organizojnë në vendet e tyre kompeticione bukurie. Thënë ndryshe “Deliart Association”, ka regjistruar këtë patentë si “The Miss Globe”. Kështu këtë vit, duke respektuar edhe dëshirën e drejtorëve nacionalë, “Miss Globe” do të mbahet në Shqipëri. Kjo për faktin sepse organizimi i “Miss Globe” në Shqipëri është gjithmonë një surprizë për ta. Pavarësisht se një vend i vogël, Shqipëria ka qenë gjithmonë një surprizë për pjesëmarrësit, falë tureve dhe organizimit të eventit nga Deliart. Gjatë 11 viteve të organizimit të “Miss Globe” këtu, Shqipërinë e kanë zbuluar dhe shijuar jo pak.

Në vitin 2004 kur Charli See i dha patentën për herë të parë Petri Bozos, i përcolli producentit si mesazh edhe faktin se ky spektakël duhet të ishte social, çdo vajzë nga çdo vend i botës kishte të drejtë të merrte pjesë, pra të ishte një hapësirë komunikimi i të gjitha vendeve, në të gjitha gjuhët e botës. Ku prioritet, përveç bukurisë do të ishin edhe mesazhet që pjesëmarrëset japin e marrin me njëra-tjetrën. Dhe ky mesazh, edhe pse Charlie dhe bashkëshortja e tij, Ann See, janë ndarë nga jeta tashmë, do të vazhdojë të ruhet nën logon “The Miss Globe”. Si çdo vit, edhe këtë herë janë gjetur format e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Brendshme për marrjen e vizave nga vajzat pjesëmarrëse. Konkurrentet fillojnë të mbërrijnë në Shqipëri më 13 nëntor dhe deri me datë 15 do të realizohet seti fotografik për revistën zyrtare të “Miss Globe”. Turi i sivjetëm do të jetë shumë atraktiv. Në qendër të aktiviteteve do të jetë qyteti i Tiranës si metropol i vendit, por nuk do të lihen pas dore edhe qytete të tjera të rëndësishme si Berati dhe Jugu i Shqipërisë. Nata finale do të mbahet mbrëmjen e 25 nëntorit në “Expocity”. Spektakli do të transmetohet drejtpërsëdrejti në ekranin e TVSH, i cili është edhe Media-Partner i “The Miss Globe” . Mikpritëset e konkurrenteve të “Miss Globe” do të jenë dy bukuroshet shqiptare, “Miss Shqipëria” 2016, Kristiana Skura dhe nga përfaqësuesja e Kosovës në këtë event, Bleranda Çitaku.