Kontenjerët në Strugë, digjen për inate politike ?!

ë fundi në Strugë është shpeshtuar praktika e djegies së kontejnerëve, gjë që përveç se shkakton ndotjen e ambientit ka irrituar edhe qytetarët, shkruan gazeta KOHA. Ata të thonë se me shumë gjasë zjarrvënia është e qëllimshme, duke mos e përjashtuar edhe prapavijën politike tashmë që fushata politike për zgjedhjet e 11 dhjetorit po merr ritëm. Nga Ndërmarrja komunale e higjienës, duke mos përjashtuan faktin që zjarret të jenë të qëllimshme, thonë se një nga shkaqet që ndikon në djegien e mbeturinave, është edhe hedhja e hirit nga vatrat e zjarrit të amvisërive dhe furrave të bukës në kontejnerët, të cilat më pas transportohen në deponinë e mbeturinave. Nga kjo kompani thonë se disa herë kanë ndërhyrë edhe në shuarjen e zjarrit në kontejnerët e vendosur në pjesë të ndryshme të qytetit ku është konstatuar që zjarri ka ardhur si pasojë e hirit të hedhur i cili me gjasë ka pasur vatra zjarri që më pas janë aktivizuar si pasojë e kontaktit me mbeturinat. Drejtori i Ndërmarrjes Komunale të Higjienës, Garip Kaba, edhe pse nuk e pohon apo mohon faktin që zjarr më lidhje me këtë problematikë, mund të jetë edhe i qëllimshëm kërkon nga qytetarët dhe veçanërisht nga furrat e bukës që të jenë më të kujdesshëm kur hirin e vatrës apo atë të furrave të bukës e depozitojnë nëpër kontejnerë. Sipas Kabës, është kjo praktikë që herë pas herë ndikon në aktivizimin e zjarrit edhe në deponinë e qytetit, gjë që sjell më pas edhe ndotjen e ajrit. “Ne si ndërmarrje kemi udhëzuar punëtorët që të shmangin dhe të asgjësojnë mundësitë që gjatë grumbullimit të mbeturinave dhe depozitimin e tyre të minimizohet mundësia për djegien e mbeturinave. Apelojmë deri te qytetarët dhe pronarët e furrave të bukës që të jenë më të kujdesshëm në mënyrë që të minimizojmë mundësinë për ndotjen e ajrit në Strugë”, thotë Kaba për gazetën KOHA. Deponia që funksionon prej disa vitesh vetëm disa qindra metra larg qytetit në fushën e Strugës është shndërruar në një bombë me sahat që po rrezikon cilësinë e jetës të qytetarëve të këtushëm .Gjendja nga aspekti ndotjes rëndohet në masë sidomos në rastet kur pjesë të saj kaplohen nga zjarri gjë që përveç tymit sjell një aromë të padurueshme, sidomos për qytetin dhe vendbanimet e tjera në afërsi. Spostimi i deponisë nga aty në disa raste është bërë edhe “kalë beteje” në ciklet e kaluara zgjedhore, por është harruar me të mbaruar ato. Prej tre vitesh që në krye të Ndërmarrjes Komunale qëndron Garip Kaba në opinionin strugan mbizotëron bindja se po bëhet një punë e mirë në pastrimin dhe ruajtjen e gjelbërimit në qytetin e Strugës./KOHA/