Korrupsioni ia humb Kosovës milionat e premtuara nga Amerika

Kosova ka humbur miliona euro investime në formë të grantit nga agjensia qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

Bordi i kësaj agjencie ka vendosur që ta ulë në Kosovën për një kategori më poshtë, përkatësisht nga programi “Compact” në atë “MCC threshold”. Ky vendim i bordit të MCC ka ardhur pas dështimit të Kosovës për t’u përballur me fenomenin e korrupsionit.

Derisa në vitin 2016, Kosova ishte vlerësuar se ka shënuar progres në luftimin e korrupsionit, për vitin 2017 është shënuar regres në këtë fushë. Kjo i ka kushtuar Kosovës me degradim në program të Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

“Bordi përzgjodhi Kosovën dhe Timorin Lindor për t’i zhvilluar programet hyrëse të MCC-së dhe ri-përzgjodhi Togon për të vazhduar në zhvillimin e programit të vetë hyrës”, thuhet në njoftimin e Korporatës Sfidat e Mijëvjecarit (MCC). “Programi i pragut më të vogël (Threshold) i jep MCC-së mundësinë që të punojë me vendet në mënyrë specifike në reformat politike dhe institucionale”.

Në një dokument të publikuar në ueb-faqen e MCC janë shpjeguar përfitimet dhe dallimet në mes të programit “Compact” dhe “Threshold”. Kosova ka qenë vetëm vendi i tretë në Europë i selektuar në programin Kompakt. Ky program është pesëvjeçar me një mundësi të madhe për investime të cilat shkojnë për disa sektorë ekonomikë të një vendi me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës, uljes së varfërisë dhe luftën kundër korrupsionit. “MCC Threshold” përshkruhet si program afat-shkurt që kryesisht janë fonde shumë më të kufizuara që shkojnë në sektorë të ndryshëm të një shteti me qëllim të përgatitjes së tij për t’u bërë kandidatë për programin “Compact”.

mcc-2017a-768x390

Pra, kjo rrëshqitje e Kosovës do t’i kushtojë miliona euro, të cilat kanë qenë të destinuara për krijimin e vendeve të reja të punës dhe luftimin e varfërisë.

Atifete Jahjaga e kishte udhëhequr gjithë procesin e hyrjes së Kosovës në programin e agjencisë qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC). Me rastin e pranimit të Kosovës, në dhjetorin e vitit të kaluar, Jahjaga kishte thënë se përfitimet nga programi Kompakt mund të jenë qindra milionë dollarë.

“Kosova është përzgjedhur të zhvillojë të ashtuquajturin programin ‘Kompakt,’ grant disa vjeçar dhe i gjerë i investimit, që do të mundësojë transformimin e disa sektorëve ekonomik të vendit, krijimin e vendeve të reja të punës, uljen e varfërisë dhe luftën kundër korrupsionit. Në të kaluarën, shtetet e përzgjedhur për programin kompakt kanë përfituar disa qindra milionë dollarë”, kishte komentuar Jahjaga me rastin e kumtimit të lajmit për pranimin e Kosovës në “MCC Compact”.

mcc-foto2_-768x366

Presidentja Jahjaga e kishte paralajmëruar rrezikun që i vjen për humbjen e kësaj ndihme nga MCC-ja.

“Vazhdimi i kësaj ndihme në vitet në vazhdim do të varet ekskluzivisht nga indikatorët pozitivë të vendit tonë, zhvillimi demokratik dhe luftimi i korrupsionit. Vendimi i sotëm vjen si rezultat i raportit të muajit të kaluar të MCC-së, ku Kosova për herë të parë ka kaluar shumicën e indikatorëve, duke shënuar përparim të theksuar në reforma prioritare dhe qeverisje demokratike”, citohej Jahjaga në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidencës.

Në dokumentin e MCC thuhet se investimet në kuadër të programit “Compact” kanë shkuar në sektorin e transportit, bujqësi, shëndetësi, arsim, furnizime me ujë, energji dhe sundim të ligjit.

Në të njëjtin janë përshkruar rastet kur bordi i MCC vendos për të anuluar programin për një shtet të caktuar. Madje janë dhënë shembujt se si janë anuluar programet me shtetet si: Nigeria (2009), Jemeni (2005), Mauritania (2008), Gambia (2006) etj.

Koordinator për Kosovën i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit është ish zëvendës ministri i jashtëm, Petrit Selimi./Kallxo.com/