Kosova merr 15 milionë euro tjera kredi nga Austria

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ministri i Financave Avdullah Hoti, në prani të ambasadorit të Austrisë në Prishtinë Gernot Pfandler, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e ri negociuar për bashkëpunim financiar me Qeverinë e Republikës së Austrisë, njofton kumtesa ministrore.

Kjo marrëveshje është si rezultat i takimeve bilaterale të zhvilluara ndërmjet dy vendeve, ku gjatë takimeve të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për thellimin e bashkëpunimit financiar duke ndryshuar marrëveshjen e deritanishme për bashkëpunim financiar me shtetin austriak.

Deri më tani nga kjo Marrëveshje kanë përfituar 2 projekte, projekti për e-edukimin i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe projekti për Kardiologjinë i Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjatë negociatave për ndryshimin e marrëveshjes është dakorduar që shumës së mbetur të kredisë prej 15 milionë euro t’i shtohen edhe 15 milionë euro, ku në total janë 30 milionë euro të cilat do të përdoren për të investuar në projekte të ndryshme.