Kosovë, seancë e jashtëzakonshme për Astrit Deharin

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë të jashtë zakonshme lidhur me vdekjen misterioze të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deari. Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca tha se Astrit Deharin nuk e ka vra shteti por pushteti.

“Astritin nuk e ka vra shteti por mungesa e shtetit, që nënkupton se e ka vra pushteti. Pushteti në Kosovë e ka zhdukë shtetin dhe ka anuluar shtetin e Kosovës. Atë e vrau pikërisht kjo makineri e cila strukturat e shtetit që duhet të mbrojnë i kthen në struktura kriminale që ta marrin jetën. Fytyrat e kësaj makinerie janë tre njerëz në Kosovë të cilët e kanë kthyer shtetin në këtë gjendje, Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Kadri Veseli”, ka thënë Glauk Konjufca, Lëvizja Vetëvendosje.
AAK propozoi që FBI të hetoj rastin në fjalë.

“A është vrasje apo vetëvrasje kjo duhet të vërtetohet deri në fund dhe besojmë se më së miri do të ishte që të ftohet FBI për ekspertizë”, tha deputet i AAK-së, Palë Lekaj.
Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha tha se dikasteri saj ka ndërmarrë të gjitha hapat për zbardhjen e këtij rasti.

“Çdo ndërhyrje e imja apo e ministrisë së drejtësisë pas kalimit të rastit tek Prokuroria është ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni”, është shprehur Dhurata Hoxha, ministre e Drejtësisë në Republikën e Kosovës.

“Para se e njëjta të ndajë konferenca qesharake ose të bëj shpifje para deputetëve të Kuvendit ose qytetarëve apo të mbajë fjalime patetike, do të duhej që ta shqyrtonte seriozisht dorëheqjen” deklaroi Albulena Hoxha, deputete e Vetëvendosjes.
Derisa në Kuvend po debatohej, jashtë Kuvendit qytetarët po protestonin duke kërkuar zbardhjen e të vërtetës për vdekjen e Astritit.

“Kemi dy raporte njëri thotë është vetëvra tjetri thotë është vra dhunshëm. Ne duhet ta dimë të vërtetën si qytetarë dhe si shoqëri. Këto institucione patjetër duhet të vijnë deri në atë pikë që qytetarët t’i besojnë drejtësisë”, është shprehur një qytetar.
Astrit Dehari ndërroi jetë në burgun e Prizrenit më 5 nëntor 2016.

Adrian Kerimi