Kryebashkiaku i Ankarasë u lut që uraganet ta shkatërronin Amerikën, reagon SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pas lutjeve të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit turk Ankara, që uraganet Irma dhe Harvey të shkaktonin sa më shumë shkatërrime në SHBA, në mënyrë që kjo e fundit ta linte Turqinë rehat.

Në disa postime në Twitter, kryebashkiaku Melih Gokçek ka shkruar: “Kostot e uraganeve Harvey dhe Irama në SHBA kanë arritur në 290 miliardë dollarë. Vazhdojmë me lutjet ‘O Zot, atyre që merren me ne jepu probleme të tilla që të na harrojnë’”.

Pas deklaratave kontraverse ka reaguar edhe zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, e cila nuk e fshehu habinë kur gjatë një takimi me gazetarët e huaj mësoi se çfarë kishte shkruar në Twitter kryetari i një bashkie me 5-6 milionë banorë.

“Unë jam një grua besimtare dhe uroj që ato lutje të bien në vesh të shurdhër. Sepse as nuk mund ta mendoj që dikush lutet që një tjetër komb të përjetojë tragjedi”, tha ajo.

Heather Nauert

Pas reagimeve të shumta brenda dhe jashtë vendit, Gokçek doli me një deklaratë për mediat, ku tha se ai nuk kishte uruar shkatërrime për popullin amerikan, por për shtetin amerikan që nuk rresht së ndërhyri në Lindjen e Mesme.