Kryeministrat e Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Serbisë krijojnë ‘vëllazëri’ nën flamurin e BE

Një izolim i pashembullt i vjen Shqipërisë nga katër vende të rajonit, tre prej të cilave anëtare të Bashkimit Europian.

Duket se nuk është rastësor fakti që kanë lënë jashtë një grupimi të ri, Shqipërinë dhe Maqedoninë, Greqia, Serbia, Bullgaria dhe Rumania.

Këto vende mbajtën një samit katër ditor, të parin në radhë, të nivelit të lartë në Varna me pjesëmarrjen e kryeministrave të 3 vendeve që janë anëtare të BE-së dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Nismëtare e këtij samiti është Greqia, si anëtari më me përvojë dhe më i vjetër i BE-së, në një përpjekje për të treguar se ruan ende një rol udhëheqës në rrjedhën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Sipas Huffington Post rezultatet “praktike” të takimit përfshijnë marrëveshjen për t’i paraqitur një kërkesë të përbashkët Komisionit dhe presidentit Juncker për të siguruar fonde evropiane për lidhjen hekurudhore Selanik-Varna.

“Nuk është një samit për një shkëmbim pikëpamjesh. Janë tre vende të Bashkimit Evropian dhe një vend që ka të drejtë të shkojë shpejt përpara në Bashkimin Evropian.

Në thelb në Varna u vendos që të ringjallim axhendën e Selanikut 2003 në lidhje me integrimin e vendeve të Ballkanit në BE”, deklaroi Tsipras.

Samiti i dytë u ra dakord që do të mbahet në Beograd.