Kryeministrja e Britanisë ngre alarmin: Do të sulmohemi sërish

 

Një numër i madh trupash janë vendosur rrugëve të Anglisë pas frikës për një sulm të radhës, tha kryeministrja e Britanisë, Theresa May.
Ajo zbuloi lëvizjen këtë mbrëmje, 24 orë pas sulmit me bombë në koncertin e Ariana Grandes në Manchester, ku 22 persona mbetën të vdekur ndërsa 59 të tjerë u plagosën.

Kryeministrja konfirmoi identitetin e kamikazit 22-vjeçar me emrin Salman Abedi, me prejardhje libaneze. Por agjencitë inteligjente besojnë se i riu nuk ka vepruar vetëm, duke lënë hapur mundësitë e ekzistencës së një celule terrori islamike.

Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin kamikaz që i mori jetën 22 personave dhe la 59 të plagosur në Manchester Arena një natë më parë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia e lajmeve të ISIS, Amaq, ku një anëtar i grupit terrorist tha se ky është vetëm fillimi. Përpara sulmit terrorist ditën e djeshme në Manchester Arena, një llogari ende e paidentifikuar në Twitter postoi një mesazh të padeshifruar në përmbajtje të të cilit ishte flamuri karakteristik i ISIS dhe hashtaget #ShtetiIslamik dhe #ManchesterArena.