Kryetari Ahmeti takon EuroDeputetin Knut Flenkeshtajn

 

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka qëndruar sot në selinë e BEsë në Shkup ku ka realizuar takim me EuroDeputetin Knut Flenkeshtajn në rolin e negociatorit të ri, pjesë e treshës europarlamentare, zëvendësues i z. Riçard Hovit.
Kryetari Ahmeti dhe eurodeputeti Flenkeshtajn diskutuan për gjendjen politike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të 11 dhjetorit bashkë me detyrat e rëndësishme reformuese pas zgjedhjeve, pa lënë anash integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE si dhe përmbylljen e proceseve që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit.
Kryetari Ahmeti theksoi që BDIsë angazhohet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 11 dhjetorit dhe realizimin e një procesi të besueshëm, demokratik, pa frikësime dhe kushtëzime.
Lideri i BDIsë Ahmeti tha që prioritet i partisë mbetet mirëqenia e qytetarëve e cila arrihet në partneritet me miqtë ndërkombëtar, nëpërmjet të zgjidhjes së çështjeve të hapura me fqinjtë, anëtarësimit në NATO dhe nisjen e bisedimeve me BEnë, sundimi të qëndrueshëm të ligjit, reforma sistemore, si dhe përmbyllje të barazisë së plotë qytetare në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit.
Lideri Ahmeti kërkoi ndihmën e BEsë për ti përmbyllur këto procese ndërsa BDI mbetet partner i komunitetit EuroAtlantik në arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta./antpress