Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z.Menduh Thaçi në Tetovë realizoi takim me Shefen e Misionit Mbikëqyrës të OSBE-ODIHR,

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z.Menduh Thaçi  në selinë e partisë në Tetovë realizoi takim me Shefen e Misionit Mbikëqyrës të OSBE-ODIHR, Tana de Zulueta.

Temë e bisedës ishte situata politike në vend si dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike më 11 Dhjetor.
Në takim Kryetari Thaçi vlerësoi se partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje duhet të tregojnë vullnet politik dhe respektimit të normave dhe standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, duke theksuar se në qoftë se përsëriten parregullsitë e zgjedhjeve të kaluara siç janë vjedhja e votave dhe falsifikimi i rezultateve, atëherë këto zgjedhje do të jenë të pavlefshme për Partinë Demokratike Shqiptare, andaj në këtë drejtim kërkoi përkrahjen e faktorit ndërkombëtarë që të garantohen zgjedhje të lira, demokratike dhe të besueshme.

Kryetari Thaçi gjithashtu potencoi se frikësimet, kërcënimet dhe shantazhet ndaj qytetarëve vazhdojnë të ngelin shqetësim kryesor për PDSH-në, si dhe partizimi dhe politizimi i skajshëm i institucioneve.

Partia Demokratike Shqiptare në asnjë mënyrë nuk mund të toleroje frikësimin e qytetarëve, aq më pak kur kjo bëhet për qëllime politike – theksoi Thaçi.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të jenë korrekte, të besueshme dhe demokratike, për ta rikthyer vendin në agjendën e integrimeve euro-atlantike./antpress