Kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti hap aktivitetet e javës europiane me titull “Ditët e Europës”

Kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti hap aktivitetet e javës europiane me titull “Ditët e Europës” të organizuar nga Komuna e Çairit dhe Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare”.

“Republika e Maqedonisë, e ndodhur para sfidës më të madhe gjeostrategjike, më shumë se kurdoherë më parë duhet të etablojë një qëndrim proeuropian me themele të hekurta, për t’ju bërë ballë tendencave dezorientuese nga rruga e perspektivës demokratike e ekonomike, nga rruga e stabilitetit nacional e rajonal, duke dhënë kështu fuqishëm porosinë para botës së qytetëruar pro shtetit të së drejtës e principeve juridiko-ekonomike të Bashkimit Europian”.

Me këto fjalë kreu i Komunës së Çairit e shpalli të hapur javën europiane me titull “Ditët e Europës” që për herë të tretë po organizohet si rezultat i bashkëpunimit të Komunës së Çairit dhe Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare (ISPN). Ai theksoi se ky takim tradicional fiton edhe më shumë në peshë pasi që kësaj rradhe po mbahet në momentin më të rëndësishëm kur vendi ynë po ndërmerr hapa të guximshëm për tejkalimin e krizës së thellë politike dhe ringjalljen e proceseve demokratike, që të vazhdojë hapërimin edhe më të fuqishëm drejt integrimeve euroatlantike.

Maqedonia sot ka nevojë për një kulturë të re politike, larg dhunës, larg gjuhës së urrejtjes, larg shovinizmit e thirrjeve kundër. Maqedonia sot ka nevojë për një ligjërim publik politik pro inkorporimit të dallimeve, të respektimit të tyre dhe të kultivimit të tyre si vlera universale. Le ti thirrim ndërgjegjes për të mirën e gjeneratave të reja të cilëve kemi për detyrë t’ua zgjerojmë horizontin e perspektivës. Lufta jonë me mjete demokratike për një Maqedoni Europiane do të vazhdojë.” – deklaroi ndër të tjera kreu i Komunës së Çairit.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin: Ambasadori i Republikës së Holandës z. Wouter Plomp, zëvendës kryeministri për çështje europiane z. Arbër Ademi, Prof. Dr. Iva Zajmi nga Universiteti i Tiranës dhe Prof. Dr. Ylber Sela – Drejtor i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare.