Kryetari i Kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi mbajti koordinim me partitë politike parlamentare

 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, mbajti koordinim me partitë politike parlamentare, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e LSDM-së dhe koalicionit, BDI-së, BESA-s, Aleancës për Shqiptarët dhe PDSH-së, kurse përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit nuk ishte prezentë.

Kryetari Xhaferi u njoftua me konkluzionet e takimit joformal të përfaqësuesve të partive politike që u mbajt më 13 maj 2017 (e shtunë). Partitë u morën vesh se prioritet i jashtëzakonshëm për Republikën e Maqedonisë është arritja e marrëveshjes për miratimin e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor me të cilin mbajtja e zgjedhjeve lokale do të parashihet në gjysmën e parë të muajit tetor, kurse mandati i kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve të vazhdohet deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave dhe kryetarëve të komunave. Gjithashtu, Kryetari Xhaferi u njoftua edhe se partitë pajtohen që debati për Propozim-ligjin do të jetë efikas dhe të përjashtohet çdo mundësi për anulimin e tij të panevojshëm.

Kryetari Talat Xhaferi theksoi se me qëllim të mundësohen kushte për punë të rregullt të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë është e domosdoshme që të respektohet Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe i ftoi partitë politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvend, konform nenit 33 të Rregullores së Kuvendit të RM-së ta njoftojnë për formimin e grupeve parlamentare. Xhaferi theksoi se pret në afat të shkurtër partitë të arrijnë marrëveshje për formimin e trupave punuese, me qëllim që ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratohen në bazë të procedurave të Rregullores.

Kryetari i Kuvendit Xhaferi dhe përfaqësuesit e partive politike u pajtuan se dialogu politik duhet të vazhdojë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe se të gjitha subjektet politike duhet të jenë përgjegjës para qytetarëve dhe të kontribuojnë për vazhdimin e proceseve demokratike në Republikën e Maqedonisë.