KSHZ i fton qytetarët të bëjnë kontrollin në Listën Zgjedhore

 

Komisioni shtetëror zgjedhor fton qytetarët të bëjnë kontrollin në listën zgjedhore dhe nëse është e nevojshme të kërkojnë korrigjim dhe  ndërimin e të  dhënave.

Ftesa e KSHZ-së publikohet në kohën kur mandati i kryetarëve të Komunave dhe këshilltarëve të tyre nuk është i sigurtë, ndërsa akoma nuk janë caktuar zgjedhjet lokale.

Zëdhënësja e KSHZ-së, Lupka Guguçevska tha se thirrja e qytetarëve për kontroll në Listë është procedurë e rregullt dhe se për të kanë detyrim ta bëjnë katër herë në vit.

Por, nëse caktohen zgjedhjet lokale, situata do të jetë krejtësisht ndryshe.

“Në këtë rast, Lista zgjedhore vendoset në shqyrtim publik më së voni deri 15 ditë nga dita e shpalljes së zgjedhjeve. Shqyrtimi publik mund të bëhet në ueb faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe në Repartet rajonale dhe zyrat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Kërkesat për ndryshimin, plotësimin ose fshirjen e të dhënave në Listën Zgjedhore, qytetarët i dorëzojnë në Repartet rajonale dhe zyrat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor”, qëndron në thirrjen publike të ueb faqes së KSHZ-së.