Kthehet në skenë Ledina Çelo, prezanton festivalin në RTSH

Këngëtarja Ledina Çelo do të rikthehet si prezantuesja e edicionit të 55-të te Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Publik Shqiptar. Ajo do të prezantojë në krah të aktorit Kasem Hoxha, edhe ai prej vitesh i larguar nga Shqipëria. Ndërsa e ndajnë vetëm pak orë nga nata e parë e festivalit, gjatë provave, ajo gjen pak kohë për të treguar ndjesitë e rikthimit dhe projektet e radhës.

-Hera e dytë si prezantuese në Festivalin e RTSH-­së, çfarë ju joshi, çfarë ju bindi të riktheheshit?

“Më joshi dëshira për të qenë përballë publikut tim… Atij që më ka duartrokitur e mbështetur me vitet, edhe kur nuk kam qenë në terrenin tim, edhe kur nuk kam qenë në më të mirën time”.

-Frikë, emocion, padurim, çfarë ndjesish ju përshkojnë kur shihni sërish këtë skenë?

“Një emocion shumë i madh… Përballja me këtë skenë gjigante më sjell gjithmonë emocion. Është një përzierje ndjesish në fakt. Padurimin mendoj që e kanë më të madh ata që janë në konkurrim”.

-I mungoni Festivalit të RTSH-­së prej vitesh, e keni menduar rikthimin?

“Për momentin kam vendosur të heq dorë nga garat. Ndoshta do të jetë kështu përgjithmonë, por ndoshta edhe ndryshoj mendim në të ardhmen. Mendoj që duhen parë më me prioritet të rinjtë. Ne e bëmë historinë tonë në festivale. Tani është radha e tyre”.

-Ka ndonjë peng që ju ka lënë kjo skenë?

“Pengje jo. Nuk jetoj me pengje. Kam sigurisht dëshirë për t’i bërë gjërat më mirë, por kjo duhet parë edhe në kontekstin kohor. Shumë gjëra ndryshojnë me vitet dhe për këtë, nuk jam as unë dhe asnjë nga bashkëkohësit e mi përgjegjës”.

-Shumë e rëndësishme në prezantim është ndërveprimi me partnerin, njiheni me z.Hoxha, keni punuar më parë me të?

“Nuk isha njohur më parë personalisht me Kasemin. Jemi takuar përpara tri ditësh dhe e kemi gjetur lehtë gjuhën. Jetojmë në qytete afër njëri-­tjetrit në Gjermani dhe sigurisht unë i njoh serialet ku ai ka marrë pjesë. Ndoshta tani që e njoha, do t’ia shoh me më shumë vëmendje rolet në këto telefilma”.

-Prej viteve, kur ju ishit më aktive në Shqipëri, mediat rozë janë bërë më “agresive”. Ju tremb ky fakt?

“Madje mund të them pa frikë që ju jeni lajmi i këtij edicioni… Jetova edhe unë pak në kohën e agresivitetit, por tani nuk kanë më çfarë të shkruajnë për mua… Jam shumë e hapur me ta”.

-A keni një projekt muzikor në duar tani, përveç atij “projektit” shumë të madh të të qenit nënë dhe bashkëshorte?

“Ka gjithmonë një projekt në mendje… Një dëshirë për të prodhuar këngë, për t’u futur në studion e regjistrimit. Sa herë vij në Tiranë bëj nga një vizitë në studiot e kompozitorëve, me të cilët kam vite që bashkëpunoj dhe prej aty lind një krijim i ri”.

-Sa mbështetëse është familja juaj në karrierën tuaj si artiste?

“Janë pa diskutim mbështetja ime më e madhe…”.

-Mendoni të jeni më e pranishme në Tiranë me projekte muzikore, artistike?

“Dua shumë të bëj diçka në Tiranë. Kam disa projekte në mendje, madje edhe disa propozime konkrete, por ende s’mund të them asgjë”.