Kuçi përgëzoi 100 kompanitë më të suksesshme shqiptare në vend

Ministri i Ekonomisë Driton Kuçi sot morri pjesë dhe kishte paraqitje në promovimin solemn të katalogut “Top 100 kompanitë më të suksesshme në Maqedoninë Veriperëndimore”,  në organizim të OEMVP-së, e cila bëri përzgjedhjen e kompanive më të mëdha shqiptare në Maqedoni.
Ministri Kuçi tha se sipas treguesve statistikorë, qarkullimi vjetor i 100 kompanive më të mëdha në Maqedoninë Veriperëndimore është mbi 622 milion euro, me fitim neto që arrin në mbi 36 milionë euro, dhe numri i të punësuarve është gati 5 mijë, që është dëshmi e zhvillimit të këtyre kompanive, në sajë të vendimeve të qëlluara  dhe strategjive të menaxherëve të tyre, si dhe përzgjedhjes cilësore të  burimeve njerëzore të anagazhuara në to.
‘Këto parametra për bizneset në Maqedoninë Veriperëndimore, të realizuara në vitin 2015, sipas të dhënave zyrtare nga Regjistri Qendror, janë një tjetër konfirmim nga ana e afaristëve, se politikat e mira dhe afatgjate ekonomike, janë një parakusht për rritjen ekonomike dhe rezultate pozitive, pavarësisht situatës së ndërlikuar politike dhe pasigurisë që kanë pasur bizneset në marrjen e vendimeve të tyre’ tha Kuçi.
Kuçi shtoi se është veçanërisht i kënaqur që në vitet e fundit është arritur sigurimimi qasje më të lehtë në financa, nëpërmjet huave të favorshme dhe linjat e kreditimit, mbështetjes për rritjen e eksporteve, si dhe duke krijuar dhe zbatuar rregullativa që do të mundësojnë më shumë investime.
‘Në këtë kontekst është buxheti i miratuar nga Qeveria, i cili është zhvillimor, me nivele rekord të investimeve kapitale dhe një projeksion për rritje ekonomike prej 3 % vitin e ardhshëm, ku janë futur pikërisht zhvillimet e reja në BE dhe efektet, të cilat do të ndikojnë në ngadalësimin e rritjes ekonomike në vendet e BE-së, ku ne më së shumti eksportojmë, si dhe pritjet për zgjidhjen e krizës politike, si pjesë e gjendjes së brendshme në vend e cila krizë po ndodh tani më një periudhë të gjatë’ tha Kuçi.
Nebi Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore tha se ata ndjekin dhe analizojnë në vazhdimësi lëvizjet e bizneseve shqiptare në vend, me qëllim të fuqizimit të këtyre bizneseve.
‘Duke qenë dëshmitar të krizës ekonomike dhe politike që po mbizotëron në vend, vështirësia në arritjen deri te mjetet financiare, paraqet problem kryesorë për shumë biznese tona, anëtare të OEMVP, të cilat gjatë vitit  të kaluar janë ballafaquar me kërkesë të ulët  edhe në tregun e brendshëm edhe atë të jashtëm. OEMVP-ja do të vazhdo të punoj në drejtim të arritjes së rritjes së shpejtë, krijimin e ambientit të volitshëm të të bërit biznes në vendin tonë. Ne në vazhdimësi jemi ombrella e biznesit, sepse vetëm në këtë mënyrë bëjmë të mundshme  zhvillimin e mëtejmë të çdo anëtari tonë’, deklaroi Nebi Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
Në event morrën pjesë edhe ambasadori shqiptar në vend Fatos Reka, ministri i Investimeve të huaja Arlind Zeqiri, ministri i Drejtësisë Vladet Xhaferi si dhe ministri i Financave Minovski. Përzgjedhja e Top 100 kompanive bëhet për herë të gjashtë, në organizim të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore dhe ka për qëllim promovimin e fuqisë së kompanive shqiptare në vend.