Kuçi, të hapen terminale doganore në Jazhincë dhe Bllatë

Kuçi, të hapen terminale doganore në Jazhincë dhe Bllatë

Ministri i Ekonomisë Driton Kuçi sot morri pjesë dhe kishte paraqitje në konferencën rajonale me temë “Thjeshtëzimi dhe harmonizimi i procedurave doganore”, që u organizua nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Në konferencës rajonale ku u diskutua për lehtësimin e qarkullimit të mallërave dhe thjeshtëzimin e procedurave doganore në rajon, në drejtim të harmonizimit të tyre dhe ndërlidhjen e plotë elektronike të sistemeve doganore, ministri Kuçi theksoi se harmonizimi i rregullativës doganore në rajon, për një kohë të gjatë është imperativ i Republikës së Maqedonisë në kuadër të programeve vjetore të CEFTA-s, por edhe në shtyllat e Strategjisë për Evropën Juglindore 2020.

‘Marrëveshja CEFTA është gjëja më e mire që i ka ndodhur rajonit tonë, dhe është mekanizëm që më së shpejti na afron kah anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Mallërat duhet të qarkullojnë lirshëm, të rritet vëllimi I shkëmbimit të mallërave mes vendeve tona, dhe në këtë drejtim duhet të hapen terminale të reja doganore edhe në vendkalimin kufitar Jazhincë në Tetovë, dhe në vendkalimin kufitar në Bllatë të Dibrës’ tha Ministri Kuçi.

Kuçi tha se kjo është kërkesë që vazhdimisht e bën Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-perëndimore dhe kryetari i saj Nebi Hoxha, bizneset e shumta që gravitojnë në rajonin e Pollogut si dhe sepse hapja e terminaleve të reja doganore Jazhincë dhe në Bllatë do tu ndihmonte edhe kompanive në Zonën e lire në Tetovë.

Ministri Kuçi tha se lehtësimi i procedurave doganore mes vendeve të rajonit duhet të arrihet përmes krijimit të mjeteve transparente dhe thjeshtimit të procedurave të tregtisë dhe të doganave, me qëllim të eliminimit të rreziqeve të mundshme në eksport dhe qasjes së papenguar në tregjet në rajon, duke shprehur kënaqësinë për faktin se Maqedonia ka një legjislacion të harmonizuar doganor me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

‘Republika e Maqedonisë si një ekonomi pa dalje në det të hapur, i ka mbështetur negociatat për lehtësimin e tregtisë dhe i ka prezantuar pikëpamjet e saja, e që ishin me interes për vendin tonë në Organizatën Botërore të Tregtisë’ tha Kuçi./antpress

Në konferencë paraqitje të tyre kishin edhe Branko Azeski, kryetar i Odës ekonomike të Maqedonisë, Natasha Radeska-Kërstevska, drejtore e Doganave të Maqedonisë dhe Umut Ergezer, u.d. Drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s në Bruksel.