KUJT I KONVENON MË PAK DEPUTETË SHQIPTARË NË PARLAMENT

KUJT I KONVENON MË PAK DEPUTETË SHQIPTARË NË PARLAMENT

Zgjedhjet më 11 dhjetor, do të jenë një lloj testi maturie për Shqiptarët dhe për vetëdijen e tyre politike. Shfaqja e partive të shumta vetvetiu paraqet përçarje të votës shqiptare, por depërtimi kryesor në unitetin e votës shqiptare paraqet fushata negative e një pjese të partive shqiptare të cilat u shndërruan në veglën e tyre themelore për garë politik.
Prej partive shqiptare, vetëm BDI-ja gjatë tërë fushatës, i promovon “Përbetimet,” e programit të vet, promovon projekte të cilat partia i quan “Zotime”. Është shembull klasik për fushatë pozitive, e cila mbjell optimizëm te popullata, që paraqet motivim themelor për qytetarët të dalin dhe të votojnë. Me këtë, BDI-ja tregon se qëllimi i tyre në këto zgjedhje është të dalin sa më shumë Shqiptarë në votim, dhe me këtë, të rritet ndikimi i Shqiptarëve në rrjedhat e ardhshme politike.
Në anën tjetër janë partitë e reja të Shqiptarëve, të cilat jo vetëm që përdorin vokabular negativ në fushatë por, atmosfera në zierje transferohet edhe në terren, ashtu që qysh prej fillimit të fushatës kishim billborde të djegur, shtabe të gurëzuar, kanosje etj., me çka u fut tension plotësues ndërmjet votuesve shqiptarë.
Ekspertët e marketingut politik janë të njëzëri, fushata negative nuk shërben për ndonjë parti për ta përmirësuar imazhin e vet, për rejtingun ose për fitimin e votave por, për çrregullimin e imazhit të konkurrentit të saj dhe për ta zvogëluar rejtingun e tij dhe votat e tij. Nuk kontestohet se përdorimi i gjatë i fushatës negative, sidomos kur e njëjta shoqërohet edhe me incidente që mbjellin frikë te popullata e rëndomtë, rezulton me dalje të zvogëluar të votuesve.
Kjo paraqet edhe rrezikun më të madh për Shqiptarët në këto zgjedhje, të dalin në numër konsiderueshëm më të vogël, bashkë me përçarjen e votës ndërmjet më shumë partive, të realizojnë rezultat konsiderueshëm më të dobët se partitë etnike maqedonase. Kjo do e zvogëlojë ndikimin e përgjithshëm të Shqiptarëve mbi lëvizjet e ardhshme politike, që do të rezultojë me pasoja të paparashikueshme mbi kauzën shqiptare dhe interesat shqiptarë.
Mbesin edhe ca ditë deri më 11 dhjetor, kur Shqiptarët do të duhet ta kalojnë testin e maturisë. Në njërën anë të mbesin në shtëpi, ose ta shpërndajnë votën, dhe në anën tjetër, të dalin në votim dhe të votojnë për ruajtjen e unitetit të votës shqiptare.