Kulla: Shqiptarët etnikë të mos votojnë në Tearcë

Analisti i njohur nga Shqipëria, Ilir Kulla, ekspert i sigurisë Kombëtare, bën një radiografi të situatës paszgjedhore në Maqedoni dhe bën thirrje të bojkotohen zgjedhjet në Tearcë sepse nuk i japin ndonjë gjë shqiptarëve, që duhet të përqëndrohen tek bisedimet dhe të marrin atë që u takon.

Në një intervistë për “Zhurnalin” Kulla shpreh shqetësimin lidhur me reduktimin katastrofik të numrit të deputetëve shqiptarë dhe shpërberjen e votave të tyre.

“Kulmi i këtyre votave janë votat e LSDM me 70 mijë vota shqiptarësh prodhuan 2 deputetë në listat e LSDM ku duhet të ishin të pakten 7 deputetë të kombësisë shqiptare. Pra, kemi të bëjmë me një mashtrim politik të paparë më parë dhe të përmasave politike të pahasura në një vend tjetër ballkanik. Është sikur t’i thuash shqiptarëve në Shqipëri meqënëse keni pakënaqësi politike me partitë tradicionale shqiptare votoni Dulen dhe PBDNJ” thotë Kulla.

Lidhur me lëvizjet e liderëve maqedonas dhe atyre shqiptarë pak ditë nga përfundimi i zgjedhjeve, duke përmendur edhe takimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni analisti Kulla mendon se palët do të kërkojnë aleanca dhe se kjo është normale.

“Mendoj se palët gjithashtu do të kërkojnë secila më shumë për njëra tjetrën por 2 gjëra nuk duhet të ndryshojnë. E para në negociata në tavolinë duhet të jenë bashkë dhe të fortë; e dyta shqiptarët kurrsesi nuk mund të lejojnë asimilimin politik dhe këtë kërcënim që u shfaq si fenomen duke votuar një parti maqedonase”, shprehet Kulla

Për vendimin e Gjykatës Administrative për mbështetjen e ankimimit të bërë nga koalicioni opozitar i kryesuar nga LSDM-ja kundër vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të 18 dhjetorit, duke shpallur si të pavlefshëm procesin e votimit në qendrën e votimit në Bashkinë e Tearces, në zonën e gjashtë zgjedhore Kulla mendon se shqiptarët duhet t’i bojkotojnë zgjedhjet e përsëritura në Tearce madje i bën thirrje që ta bëjnë këtë.

“Shqiptarët boll janë të përçarë nuk i duhet më përçarje. Le ti lënë maqedonasit ta zgjidhin vetë të dielën në Tearcë sepse sido që të votojnë shqiptarët nuk përfitojnë gjë në Tearcë tashmë”, shprehet Kulla.

Për ndikimin e manjatit Soros në komunitetin ndërkombëtar në Maqedoni, për të cilin aludon edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski analisti Kulla thotë se problemet me faktorin Soros në Europën Lindore përfshi dhe Shqipërinë gjenden kudo.

Sipas tij shqiptarët duhet të qeverisin me atë që jep më shumë në tavolinen e bisedimeve dhe jo më atë që bën më shumë demagogji dhe propagandë.