Kumanova nga qeveria e re kërkon themelimin e “Qendrës Kulturore Rinore Shqiptare”

Një vit më parë, një grup aktivistësh kumanovarë të sferës së kulturës, dolën me kërkesën për themelimin e institucionit të ri nacional: “Qendra Kulturore Rinore Shqiptare” në Kumanovë.

Ideja fillestare ishte që ky instituticon të ngritet në ish-Shtëpinë e Armatës, por meqë një gjë e tillë nuk u realizua, kërkojmë me ngulm që një gjë e tillë të realizohet nga qeveria e ardhshme e Republikës së Maqedonisë, në një objekt tjetër të përshtatshëm ose të ndërtohet një i ri në pjesën shqiptare të Kumanovës.

Për këtë, tani U DREJTOHEMI PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE, CILADO QË DO TË BËHET PJESË E QEVERISË SË ARDHSHME, QË SI PJESË TË PROGRAMIT QEVERISËS NË KËTË MANDAT, TA PARASHOHIN EDHE THEMELIMIN E INSTITUCIONIT NACIONAL: “QENDRA KULTURORE RINORE SHQIPTARE” NË KUMANOVË.

E dimë se ka edhe çështje të tjera me rëndësi jetike për shqiptarët, që janë barrë e qeverisë së re, por konsiderojmë se kjo po ashtu është e rëndësisë së veçantë kombëtare, aq më tepër kur kihet parasysh e kaluara e shqiptarëve të Kumanovës.

Përndryshe, kërkesa zyrtare me vula dhe nënshkrime, që atëherë është adresuar deri te partitë politike shqiptare, si dhe institucionet qeveritare dhe komunale, të cilat janë të njoftuara me iniciativën.

Sa për njoftim, shqiptarët e Kumanovës, e sidomos rinia e saj e shkëlqyer, nuk kanë në disponim asnjë institucion kulturor ku mund t’i realizojnë aktivitetet e tyre kulturore-artistike.

IN Qendra për Kulturë “Trajko Prokopiev”-Kumanovë, në kuadër të së cilës funksionon edhe sektori “Drama shqipe”, nuk ofron kurrfarë kushtesh për zhvillimin e aktiviteteve kulturore të rinisë shqiptare, dhe atje nuk zhvillohet asnjë aktivitet tjetër.

Për këtë kërkojmë një institucion të veçantë, që do t’i plotësonte në tërësi të gjitha nevojat e komunitetit kulturor shqiptar të Kumanovës e më gjerë. Aty rinia jonë do të ketë vendin e përshtatshëm për t’u marrë me art, letërsi, muzikë, vallëzim, dramë, pikturë, sport, etj., në vend se të bredh rrugëve. Aty do të duhet të funksionojnë: Drama Shqipe e Kumanovës (e cila tani është në kuadër të IN Qendra për Kulturë “Trajko Prokopiev”, përkatësisht Teatrit të Kumanovës), si dhe me aktivitetet e tyre të shumta: Ansambli “Bajram Shabani”, Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, Shoqata e Arsimtarëve Shqiptarë, “Java Kulturore Shqiptare”, Forumi Rinor Islam, Shoqata e Piktorëve, Shoqata e Grave, muzikantët e rinj, klubet sportive, kinemaja, etj. Pra, një vend ku do të tubojë gjithë komunitetin kulturor shqiptar në një vend, dhe nën ombrellën e një institucioni të finansuar nga shteti, përkatësisht Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë.

Kërkesa mbështetet në nenin 24 të Ligjit për Kulturë të Republikës së Maqedonisë (“Gazeta zyrtare” nr. 59/03, dt 18.09.2003), alinea 1, ku thuhet se Qeveria e Maqedonisë me vendim të saj themelon institucione nacionale. Sidomos është favorizues alinea 3 e këtij ligji, e cila parashikon afirmimin e kulturave të të gjitha bashkësive etnike.