Kuqezinjtë: Nuk e meritonim të humbisnim me Italinë!

Kuqezinjtë kanë bërë një ndeshje pozitive me Italinë dhe sërish, ashtu si ndaj Spanjës, u ka munguar goli, por ndryshe nga ndeshja e kaluar, nëse do të ishte shënuar, Shqipëria me siguri do të kishte marrë minimalisht barazimin. Gjithsesi, futbollistët e Kombëtares, pas ndeshjes, janë shprehur se nganjëherë duhet edhe fati, e rëndësishme është të vijojnë të luajnë mirë.

ANSI AGOLLI – “Nga ana e motivimit nuk ishte shumë e vështirë, gjithsesi, ditët që kishim në dispozicion u përgatitëm për t’u përgatitur sa më mirë. Në rastin e golit gabova në pozicion, nuk pata komunikim me shokun e skuadrës dhe e pranoj se gabova në atë moment”.

ARMANDO SADIKU – “Luajtëm si të barabartë ndaj Italisë. U ndëshkuam nga një episod, të cilin mund ta evitonim. Ne bëmë gjithçka për të shënuar, por nuk ia dolëm. Ishim pak konfuz në metrat e fundit, sepse e kërkuam golin, por pa saktësinë e duhur. Ishte e vështirë për të luajtur ndaj dy qendërmbrojtësve të gjatë si Bonucci dhe Chiellini.

U mundova t’i kapja pas shpine, por ishte e pamundur. Bonucci dhe Chiellini merreshin vesh shumë mirë me njëri-tjetrin dhe flisnin shumë mes tyre gjatë ndeshjes. Ishin në unision. Fanellën e Buffon? E mora unë në fund të ndeshjes. Ia kërkova kur isha pranë portës gjatë një goditjeje këndi dhe ma dha pas ndeshjes. Buffon është një legjendë”.

ETRIT BERISHA – “Kam takuar shumë shokë që janë tek Italia, ish-kolegë që kam pasur në skuadrat ku kam luajtur. Ishte një ndeshje e mirë për ne në aspektin e prodhimit të rasteve. Rasti i golit? Ishte një kros nga e majta e sulmit të Italisë dhe më pas një pakujdesi nga ana jonë bëri që të pësonim një gol, të cilin mund ta evitonim. Mendoj se duhet ta shikojmë këtë ndeshje me pozitivitet.

Si me Spanjën, ashtu sikundër Italisë, kishim disa raste për shënim. Por, nëse nuk realizon, bie moralisht. Duhet të konkretizojmë rastet për shënim në ndeshjet e tjera. Në aspektin personal, nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe nga koha kur ishte De Biasi dhe tani që ka ardhur Panucci. Mendoj se kam filluar të përmbaj më shumë veten, të jem më i qetë dhe kjo është pozitive.”