“KUR’ANI DUHET TË JETË PJESË E MYSLIMANËVE SIKURSE FRYMËMARRJA”

Presidenti i Indonezisë Joko Widodo ka thënë se leximi, kuptimi dhe zbatimi i Kur’anit duhet të jetë pjesë e myslimanëve njëlloj sikurse frymëmarrja.

Presidenti i Indonezisë ka marrë pjesë në garën e leximit-memorizimit të Kur’anit dhe haditheve që këtë vit u organizua për herë të tetë.

Duke mbajtur një fjalim në këtë eveniment, Widodo ka vënë theksin mbi rëndësinë e leximit të Kur’anit.

“Me këtë garë synohet që të nxiten myslimanët ta lexojnë Kur’anin. Leximi, kuptimi dhe zbatimi i Kur’anit duhet të jenë pjesë e myslimanëve njëlloj sikurse frymëmarrja”, ka thënë Widodo.

Ai ka përgëzuar hafëzët dhe komentuesit që kanë marrë pjesë në garë, duke shtuar se krahas leximit dhe memorizimit të Kur’anit, është e rëndësishme që ato që kemi lexuar t’i zbatojmë në jetë, raporton Anadolu Agency

“Indonezia po bëhet shembull për tërë botën, pasi në të njerëzit jetojnë në paqe dhe është vend në të cilin takohen shumë religjione dhe kultura. Ne duhet të vazhdojmë t’i tregojmë botës se në Islam nuk ka përçarje dhe se është fe që qëndron larg dhunës”, ka shtuar presidenti Widodo

Ndryshe, në Indonezi jeton bashkësia më e madhe myslimane në botë. Nga popullsia prej 250 milionë banorësh, 87 për qind janë myslimanë, kurse 10 për qind të krishterë.