KURTI: NUK GJEJ ARSYE PËR TË FESTUAR PAVARËSINË E KOSOVËS

Ish-lideri i Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për Top Channel ku ka folur për shtetësinë e Kosovës, duke e cilësuar si të pa substancë. Ka pohuar se Pavarësia e Kosovës ka ardhur pikërisht nga protestat e 10 shkurtit 2007 të organizuar nga Vetëvendosje.

Por siç kanë shkuar punët prej asaj kohe, sipas Kurtit, situata në Kosovë është aq e keqe sa ai nuk gjen arsye të festojë Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

“Kosova nuk ka fituar substancë të pavarësisë, vazhdon të mbetet vendi me papunësinë dhe varfërinë më të madhe në Evropë, ndërkohë që nuk e kemi bashkuar Mitrovicën dhe nuk po lejohet bashkimi i ushtrisë në Kosovë që do të mundësonte edhe integritetin territorial”, ka thënë Kurti, i pyetur nëse ka arsye të festohet Dita e Pavarësisë.

“Politikanët shqiptarë kanë qenë nganjëherë naiv, nganjëherë moskokëçarës dhe shpeshherë të korruptuar dhe të shantazhuar dhe na kanë sjellë në një situatë ku 9 vite pas shpalljes së pavarësisë nuk po mund të festojmë siç duhet”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, kushtëzimi i Listës serbe është një çmim shumë i lartë për të thënë që kemi një ushtri.

“Ushtria nuk bëhet me Beogradin. Të tillë e ka edhe Bosnja, mirëpo Bosnja, po i hyre brenda i sheh nja tre shtete të tjera ! Treni ‘Kosova është Serbi’ u ndal në Rashkë, por ka një tren tjetër që vjen dy herë në ditë prej Krajlevës dhe nuk do të ndalet dhe ai është ‘Kosova do të bëhet Bosnje’ . Pra Serbia ka kaluar nga ideja e riokupimit të Kosovës, në idenë e bosnjëzimin e Kosovës dhe fatkeqësissht nuk mund të them që është e pasukseshme”, ka thënë Kurti në Top Channel./Insajderi.com