Kurti: Pushteti ka bashkuar të korruptuarit e kriminelët

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, duke shprehur bindjen se më 12 qershor do ta festojnë fitoren e Vetëvendosjes, ka deklaruar se me qeverisjen e Vetëvendosjes, me tri reforma do të arrijmë deri tek shteti zhvillimor.

E para, sipas tij, do të jetë shpërbërja e Agjencisë së Privatizimit dhe themelimi i Fondit Sovran i Republikës së Kosovës, pastaj themelimi i Agjencionit Zhvillimor të Republikës së Kosovës dhe themelimi i Bankës Zhvillimore të Republikës së Kosovës

“Pushteti në Kosovë i ka ndarë e i ka përqarë njerëzit, kurse i ka bashkuar njerëzit e korruptuar e kriminelët. Ne duhet të ia shërojmë plagët popullit që ia kanë shkaktuar qeveritë njëra pas tjetrës dhe për ketë gjë e kemi edhe gatishmërinë, edhe vullnetin, edhe programin, edhe guximin, edhe dijen. Në Kosovën e pasluftës populli ynë kurrë nuk e ka pasur më vështirë në aspektin socio-ekonomik dhe kurrë nuk e ka pasur më kollaj ndryshimin, ky ndryshim ka datë dhe emër. Data është 11 qershor, ndërsa emri është Vetëvendosje. Populli nuk të donë nëse nuk e donë, populli nuk të braktisë, pa e braktisë t’i njëherë, neve populli na ka ndihmuar shumë, jo vetëm duke marrë pjesë aktivisht në protesta, prej mikëpritjes nëpër shtëpitë e tyre për tubime të ndryshme që i zhvillonim e deri tek votat në zgjedhje e qebet në demonstrata që na hidhnin nga ballkonet e tyre. E tash populli po na donë si asnjëherë më parà «, ne duhet ta gëzojmë popullin më shumë se kurdoherë, 11 qershori është dita me zemër, ditë e dashurisë, ditë e fitores së dashurisë, ditë e fitores së popullit tonë të dashur”, tha ai, duke shtuar se ata janë në anën e të vërtetës, të drejtës, të mirës, e të dobishmes, prandaj edhe do të fitojnë sepse kështu fiton populli ynë i cili ka vuajtur tepër gjatë e tepër shumë.

“18 muaj nuk janë pak, e 18 vite janë tepër shumë. Asnjë qytetarë nuk e ka merituar atë gjendje, secili qytetarë duhet ta ketë shansin ta ndryshoj këtë gjendje, kur nuk ka zgjedhje. Me qeverisjen tonë me tri reforma do të arrijmë deri tek shteti zhvillimor. E para, shpërbërja e agjencisë së privatizimit dhe themelimi i fondit sovran i republikës së Kosovës. Ky fond do të ketë mandat në investimin, përmirësimin, ristrukturimin dhe rritjes së profitabilitetit të aseteve me rëndësi strategjike industriale të Kosovës. Fondi sovran do të bëhet aksioneri kryesorë i të gjitha ndërmarrjeve të mëdha publike në Kosovë, KEK, PTK, Trepçe, me mundësi zgjerimi në industri të tjera. Fondi sovran i Republikës së Kosovës themelohet nga kuvendi dhe i përgjigjet atij, me bord të emërtuar nga ai, kryeministria, presidenca dhe me nga një përfaqësues së shoqatave të biznesit dhe BSPKS-së. Bordi drejtues zgjedh drejtorin ekzekutiv të fo ndit sovran i cili është figurë apartiake, me përvojë globale ekzekutive në biznes. Reforma e dytë, themelimi i Agjencionit Zhvillimor të Republikës së Kosovës. Agjencioni zhvillimor ka mandat implementimin dhe monitorimin e programit zhvillimor të republikës së Kosovës miratuar në Kuvend. Agjencioni zhvillimor drejtpërsëdrejti mbështetë sektorin privat dhe shtetëror të Kosovës në arritjen e synimeve strategjike zhvillimore përmes rritjes së kapaciteteve të biznesit vendor, promovimin e investimeve të jashtme dhe të eksportit. Agjencioni zhvillimor koordinon politikat zhvillimore nëpërmjet ministrive dhe udhëheqë me agjencionet e pavarura zhvillimore që kalojnë nga kompetencat e ministrive tek agjencioni zhvillimor. Agjencioni zhvillimor i përgjigjet drejt për së drejti Kryeministrit, bordit drejtues të agjencionit zhvillimor përbërë nga ministritë përkatëse, zhvillimit ekonomik, financave, tregtisë e industrisë, infrastrukturës, bujqësisë, arsimit e të tjera”, tha ai.

Reforma e tretë, sipas tij, është themelimi i Bankës Zhvillimore të Republikës së Kosovës, e cila do të kishte mandat në mbështetjen financiare të sektorëve strategjik-industrial të Kosovës, të sektorit privat dhe shtetëror, identifikuar në programin zhvillimor./M.Duraku/