Kurti: Me Vetëvendosjen në pushtet, pensioni minimal do të jetë 150 euro

 

I normuari për kryeministër të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka zhvilluar të shtunën një takim me pensionistët, me ç’rast është zotuar se nën qeverisjen e kësaj partie pensionistët do të kenë trajtim më të mirë dhe se pensioni minimal do të jetë 150 euro.

Ai përmes një statusi në Facebook ka shkruar se shumë shërbime publike, përfshirë edhe transportin publik për pensionistët do të jenë falas nëse Vetëvendosje do të fitojë në zgjedhjet e 11 qershorit.

Postimi i plotë i Kurtit:

Pensionistët e të moshuarit dëshirojnë ndryshim. Sot në mëngjes u takuam bashkë me ta në autobusin urban drejt parkut të Gërmisë, ku unë iu bashkova kafes së tyre të mëngjesit.

Trajtimi i pensionistëve në shtetin tonë ka qenë jo dinjitoz, dhe qeveritarët e mëparshëm kanë qenë mosmirënjohës ndaj gjeneratave më të moshuara. Me qeverisjen e Lëvizjes pensioni minimal do të bëhet 150 euro brenda mandatit të parë. Shumë shërbime publike, ndër të cilat dhe transporti publik, do të jenë falas për pensionistët.

Me djersën e tyre jemi rritur ne, dhe sot ua kemi borxh trajtimin dinjitoz.