Kush e ndihmoi më shumë Haradinajn, Kosova apo Shqipëria?

Kuvendi i Kosovës dështoi të miratojë rezolutë për lirimin e Ramush Haradinajt, por duket që Shqipëria ndikoi në këtë proces, duke qenë që ish kryeministri u lirua nga Gjykata Franceze me kushtin që të mos e lëshojë Francën.

Saimir Tahiri, Ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë i dorëzoi një kërkesë INTERPOL-it, për fillimin e procedurës për lirimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze.Në kërkesën drejtuar Interpolit, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, kërkoi që të shqyrtohet urdhër-arresti ndërkombëtar.

“Më lejoni që t’ju kërkoj zyrtarisht rishqyrtimin dhe rivlerësimin e Urdhër Arrestit Ndërkombëtar Nr.2005/18986, date 06.06.2005 ndaj Z. Ramush Haradinaj për ta hequr këtë Urdhër Arresti përfundimisht nga sistemi  e ASF”, thuhet në letrën e Ministrit Tahiri.
Pas kërkesës së MPB së Shqipërisë, ka reaguar MPB e Serbisë duke e cilësuar këtë kërkesë si ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë.  “Kërkesa e Tahirit është një ndërhyrje bruto dhe e papranueshme në sovranitetin e shteti të Serbisë, e cila është anëtare e plotë e Interpolit”, ka thënë Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq.

Por kështu nuk mendon eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava. Në një prononcim për Gazeta e Re, ai thekson se kërkesa e Shqipërisë ndaj INTERPOL-it, nuk mund të konsiderohet ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë.

“Shqipëria duhet të jetë më pranë Kosovës dhe shteteve tjera ku ka shqiptarë, dhe ta ketë një përkujdesje më të madhe për shqiptarët në përgjithësi e posaçërisht për faktin që Shqipëria është anëtare e plotfuqishme në NATO. Edhe bota e ka kuptuar gjenocidin që është ushtruar ndaj shqiptarëve në përgjithësi, dhe jo rastësisht tani kanë mbetur të copëtuar në shumë shtete të Ballkanit. Kërcënimet e Serbisë të përditshme që ushtrohen ndaj shteteve fqinje nuk mund të krahasohen me asnjë shtet tjetër. Para pak ditësh ajo u armatos me armatim të rëndë modern krahasuar me armatimin në regjion, dhe i ka shpërndarë për rreth shteteve në fjalë. Serbia me të bërat e veta në regjion e Ballkanit, gjithnjë e ndien veten superiore”, thekson Tërnava duke shtuar se Shqipëria deri më tani ishte jashtëzakonisht e përcaktuar në shtetësinë e saj dhe mos përzierje në punë të brendshme të tjerave shtete.

Edhe Avni Islami, po ashtu ekspert i sigurisë, thotë për Gazeta e Re se deklarata e  e Serbisë për ndërhyrje të Shqipërisë në sovranitetin e Serbisë është e paqëndrueshme.

“Pas ndalesës që iu bë Ramushit në Basel të Zvicrës, u aktualizua çështja e fletarresteve ndërkombëtare të cilat i kishte lëshuar Serbia për shumicën e Komandatëve të UÇK-së. Sipas tij, inicimi i kërkesës së Shqipërisë ishte në korrekt për shkak se një shtet që nuk është anëtarë i INTERPOL-it, mund të ndihmohet nga një shtet tjetër që ka qasje në këtë organizatë.

Të gjithë e dimë se ato fletarreste janë politikisht të ndikuara dhe si rrjedhojë e kësaj po maltretohen që disa herë ish-komandantët luftës se lavdishme të UÇ-së. Pyetja shtrohet se si t’i përgjigjet Kosovës kur nuk është pjesë e organizatës INTERPOL. E vetmja alternativë është që një shtet anëtarë që ka akses në data bazë të kësaj organizate të iniciojë procedurë që fletarrestet të motivuatara politikisht dhe të lëshuara nga një krijesë e cila nuk ekziston (Serbi-Mali i Zi) që nga 2005. Në këtë rast pra Shqipëria e cila ka iniciuar largimin e nga lista e komandantëve të UҪK-së, është plotësisht e drejtë dhe nuk përbën ndërhyrje në punët brendshme por kjo përbën veprim që Kosova nuk mund ta bëjë. Prandaj deklarata e Serbisë se kjo përbën ndërhyrje në punët brendshme të Serbisë është e paqëndrueshme”, deklaron Islami.

Ndryshe, Ramush Haradinaj u lirua sot me kusht me vendim tw gjykatës franceze. Ai nuk ka të drejtë ta lëshojë Francën si dhe i duhet të paraqitet dy herë në javë tek autoritetet franceze derisa të shqyrtohet kërkesa e Serbisë për ekstradim të Haradinajt nw Serbi./gazetaere.com/