Kush është ambasadori rus që u vra në Turqi?

Andrei Karlov, ambasadori rus në Ankara që u qëllua për vdekje në një galeri arti të hënën, ishte diplomat veteran rusi, i cili kishte kaluar shumicën e karrierës së tij në Moskë.

Ai ishte emëruar në vitin 2013 si ambasador në Ankara, ndërsa më herët ka shërbyer si ambasador në Korenë e Veriut si dhe nënkryetar dhe më pas kreu i departamentit konsullor në Ministrinë e Jashtme të Rusisë.

Sipas profilit të publikuar nga Ministria e Jashtme ruse, ai flet rrjedhshëm anglisht, ndërsa flet edhe gjuhën koreane. Ishte 62 vjeç i martuar dhe babai i një djali.

Ai punoi në Ankara në një periudhë të trazuar të marrëdhënieve midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe atij turk, Rexhep Taip Erdogan. Lidhjet tradicionale midis dy vendeve, u përkeqësuan pas rrëzimit të një avioni rus Su-24 nga ana e Turqisë në fund të vitit të shkuar në kufirin turko-sirian.

Në një intervistë dy muaj më vonë, në shkurt, Karlov fajësoi turqinë për krizën, duke mohuar se avioni i vendit të tij të kishte shkelur hapësirën ajrore turke. Ai tha gjithashtu se nuk kishte prova se aeroplanët rusë kanë bombarduar civilët në Siri.

Ambasadori i tha agjencisë së lajmeve ruse “Tass”: “Udhëheqja turke vepron me deklarata gjithnjë e më luftarake ndaj Rusisë … Në këto rrethana, unë nuk shoh perspektivë për normalizimin e marrëdhënieve.”

Në fakt, marrëdhëniet e normalizuan me shpejtësi të habitshme, pasi Turqia kërkoi falje për incidentin. Putin dhe Erdogan u takuan në gusht duke formuar një aleancë të “lirshme” që i ngjason anti-perëndimore.