Kush është analist politik dhe kush nuk është?

Shkruan: Sefer TAHIRI

Një sugjerim miqësor për kolegët- gazetarë sa i përket cilësimit të burimeve për t’iu shmangur përdorimit të termit të përgjithshëm ANALIST POLITIK, i cili sikur kohëve të fundit po ironizohet me qëllim nga politika (kryesisht nga politikanë të dështuar, që mospasjen sukses në zgjedhje dëshirojnë tua atribuojnë njerëzve mediatik). Pa të drejtë, kuptohet!
Ndërsa ka keqkuptime lidhur me funksionin e ANALISTIT edhe nga media, por edhe nga publiku. Fatkeqësisht në vend që të inkuajohen, shoh një tendencë retorike e cila ka nota ironie, madje edhe nënçmimi!

ANALIST (POLITIK)- cilësohet personi i cili meret me zbërthimin e fenomeneve politike, me shqyrtimin dhe vështrimin e ngjarjeve, problemeve apo ideve politike me imtësi apo nga të gjitha anët. Mund të cilësohet persona që punojnë në institute hulumtuese ose të analizave politike, por edhe njerëz me përvojë të gjatë në media dhe që shkruajnë analiza politike, të cilat publikohen në mediat ose rrjetet gazetareske ndërkombëtare,
Ata që punojnë në institucione shtetërore në pozitë drejtori ose mbajnë ndonjë pozitë tjetër drejtuese (menaxheriale) nuk duhet të prezantohen në media si analist, sepse më e pakta që mund të thuhet është tendencë për manipulim me publikun, pasi tentohet që një mendim i njëanshëm politik të paketohet si mendim analitik, sepse ky i fundit ka ndikim më të madh tek publiku.
Nuk mund të quhen analistë politikë disa persona të rinj, axhaminj, krejt anonimë, pa ndonjë bekraund ose bagazh profesional- aplikativ ose hulumtues- shkencor të cilët i sheh që dalin përnjëherë në hapësirën mediatike si analist politik, edhe atë si këpurdha pas shiut.

OPINIONIST- cilësohet personi i cili thjesht ka një mendim, qëndrim apo pikëpamje ose këndvështrim mbi ngjarjet, idetë, projeket, problemet ose fenomenet politike.

EKSPERT- cilësohet personi i cili është i specializuar ne një fushë specifike, të ngushtë dhe për të cilën është i thirrur me kompetencë dhe profesionaizëm të komentojë, analizojë ose debatojë. Pra një person që ka ekspertizë në një fushë studimore, natyrisht dhe ka të publikuara punime shkencore në revista nga kjo fushë, por edhe mer pjesë në konferenca, tribuna, seminare ose simpoziume shkencore. Shembull eksperti i së drejtës penale, të drejtës civile, eksperti i medias, eksperti i partive politike, eksperti i demokracisë, eksperti i demografisë, eksperti i mikroekonomisë!
E njëjta vlen edhe për përdorimin e termit hulumtues shkencor ose studiues. Si të tillë mund të cilësohen personat që punojnë në institutet hulumtuese shkencore, qoftë si institute joqeveritare apo me financim publik.

GAZETAR-Me këtë cilësim të atribuohen kolegët që punojnë në media dhe të cilët marin pjesë në debate, japin deklarata politike në media ose flasin për çështjet e medias dhe gazetarisë, si lirinë e shprehjes apo problemet e ndryshme në media si kërcënimet, pagat, kushtet e punës e kështu me radhë. Është titullim që i bën nder gjithësecilit që punon në media! Normalisht gazetari konkret cilësohet duke marë për bazë pozitën e caktuar që ka në media në dimensionin pronësor (botues ose pronar), në dimensionin menaxherial (drejtor ose menaxher i përgjithshëm) dhe dimensionin editorial (kryeredaktor ose redaktor).

PROFESOR UNIVERSITAR- cilësohet personi i cili punon mësimdhënës në universitet dhe që shpreh mendime apo merr pjesë në debatet në media dhe flet për lëminë në të cilën jep mësim ose flet për problemet e arsimit dhe shoqërisë. Në këtë kontekst mund të cilësohen me termin AKADEMIK anëtarët e Akademisë së Arteve dhe Shkencave. Kuptohet vetëm kur flasin për fushën e tyre specifike ose për çështjet shoqërore. Kur heshtin duhet tu kujtohet se elita universitare dhe akademike nuk hesht!

P:S Mirëpres sugjerimet tjera lidhur me këtë temë, sepse ky është vetëm një vështrim modest mbi atribuimin e burimeve në media!