Kush është Dritan Demiraj, koloneli që amerikanët e quajnë “babain” e komandove

 

Pjesë e marrëveshjes Rama-Basha për ministrat teknik është edhe ai i ministrit të Brendshëm, i cili pritet të jetë Kolonel Dritan Demiraj.

I cilësuar nga amerikanët si babai i Batalionit të Operacioneve Speciale ai është nga ata ushtarakë që çdo ushtri kundërshtare do ta kishte frikë, shkruan Albeu.com. Është i brumosur që 14 vjeç si ushtarak.

Ka udhëhequr shtatë misione “Eagle” në vendet me konfliktet më të nxehta në Afganistan dhe Irak duke marrë vlerësimet maksimale nga aleatët amerikanë atje.

Tre vite më parë, papritur merr një urdhër shkarkimi nga Ministria e Mbrojtes me argumentin se kishte dalë pa leje nga Shqipëria. Ai e kundërshton fort këtë pretendim duke theksuar se në fakt shkarkimi ka të bëjë me motive politike.

Edhe pse mban një gradë të lartë në organigramën e Ushtrisë Shqiptare, pak muaj më pare u shpërngul familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tani, jep mësim në universitet, shkruan dhe trajnon amerikanët për teknikat e luftimit.

Albeu.com zhvilloi një intervistë me Kolonel Dritan Demirajn me rastin e 18-vjetorit të Batalionit të Operacioneve Speciale, të cilin e ka drejtuar për shtatë vite duke e udhëhequr edhe në misionet ushtarake “Eagle” në Lindjen e Mesme.

Albeu.com zhvilloi një intervistë me Kolonel Dritan Demirajn me rastin e 18-vjetorit të Batalionit të Operacioneve Speciale (tetor 2016), të cilin e ka drejtuar për shtatë vite duke e udhëhequr edhe në misionet ushtarake “Eagle” në Lindjen e Mesme.

Intervista e zhvilluar nga Albeu.com me rastin e 18-vjetorit të Batalionit të Operacioneve Speciale në tetor 2016

Intervistoi: Emirjon Senja

E keni filluar karrierën ushtarake në vitin 1983 gjimnazist në Shkollën “Skënderbej”, më pas me Akademinë Ushtarake, sot mbani gradën Kolonel. Keni 45 dekorata, dy nga Presidenti i Republikës, një prej tyre “Nderi i Kombit”. Konsideroheni si “babai” i Batalionit të Operacioneve Speciale (BOS), të cilin e keni udhëhequr në disa misione jashtë vendit. Por, pak muaj më parë jeni larguar nga Shqipëria. Çfarë bën një aset i ushtrisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Karrierën time si ushtarak e kam filluar në moshën 14 vjeçare në fidanishten e ushtrisë, shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” dhe në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”. Ashtu si shumica e ushtarakëve, jeta ime ka qënë e përkushtuar në shërbimin ndaj Atdheut, flamurit dhe Kombit Shqiptar.

Pas rreth 15 viteve shërbim në njësitë më elitë të policisë dhe ushtrisë shqiptare si RENEA, Njësia Speciale 77 e Anti-drogës, Gardës së Republikës dhe në Shkollën e Trupave Speciale të SHP, kam patur përgjëgjësinë dhe privilegjin të drejtoj Regjimentin e Forcave Speciale dhe Komando dhe për 7 vite Forcat Speciale-BOS.

Gjej rastin përulem me respekt përpara themeluesit të BOS-it, komandantëve të saj Kolonel Hysen Ymerit, Xhevahir Avdia, Ruzhdi Kuçit dhe Bashkim Ballës.

Gjithashtu nuk mund të lë pa përmendur dhe oficerë të shquar të repartit: Që nga themeluesit Behar Mara; Mazllum Alla; Besnik Cukali; Lavdrim Oshafi; Asllan Nuzi; Arben Kingji e deri tek Erion Asllani; Elvis Spahiu; Agim Kuçana; Eklan Dauti; Ernest Marjaka; Pali Dokollin dhe nënoficerët Gëzim Toska; Mujo Ahmetaj; Artan Bilimani; Albert Kuçaj; Urim Limani; Klodian Penko, etj.

Pas largimit krejtësisht të padrejtë dhe në shkelje të të gjithë rregullave që normojnë punën në ushtri jetoj, punoj dhe kontriboj fuqishëm në komunitetin Shqiptar dhe jo vetëm në SHBA në fushën e antiterrorizmit, mësimdhënies në universitete dhe së fundmi kam ngritur dhe një biznes ku zhvilloj stërvitje speciale me efektiva të ndryshme, pa anashkaluar asnjë moment dhe kontributin për vendin tim nëpërmjet takimeve dhe kontakteve të shumta në Kongresin Amerikan dhe më gjerë.

Pak ditë më parë, Batalioni i Operacioneve Speciale (BOS), të cilin ju e keni drejtuar për 7 vite u bë 18 vjeç. Çfarë përfaqëson BOS për Ushtrinë Shqiptare?

Batalioni i Forcave Speciale përfaqësonte njësinë më elitë që ka patur historikisht ushtria shqiptare, e vlerësuar me qindra herë si njësia elitë e Ballkanit. Njësia BOS është njësia më e dekoruar e Shtetit Shqiptar dhe me këtë rast më duhet të shpreh mirënjohjen më të lartë për Presidentin e Republikës Zotin Bujar Nishani për dekorimin e BOS dhe dekorimin tim me medaljen më të lartë “Nderi i Kombit”.

Si u organizua Batalioni i Operacioneve Speciale?

Kur mora komandën e njësisë speciale, përveçse një efektivi të shkëlqyer, profesionist dhe të dedikuar që të stërvitej dhe të shërbente në çdo pikë të globit, nuk gjeta asgjë tjetër.
BOS-i nuk kishte asnjë facilitet special për stëvitje, asnjë pajisje speciale, asnjë armë moderne dhe as organizim sipas batalioneve speciale të NATO-s, kishte vetëm armë ruse, kineze asnjë lloj pajisje as nga më elementaret, as klasa speciale, kabinete, dhoma planizimi, pra trajtohej njësoj si të gjithë njësitë e tjera në ushtri dhe shërbente në misionet jashtë shtetit në detyra ruajtjeje, brënda bazave.

Brenda një kohe shumë të shkurtër, u përgatitën dhe u miratuan në Ministrinë e Mbrojtjhes dhe Shtabin e Përgjithshëm disa plane modernizimi për strukturën; doktrinën; misionin; pajisjen, programe stervitore per stërvitjen në luftën kundër terrorizmit, luftën në tokë, në det, luftën në terrene alpine etj., që përfshinte çdo gjë që sot mund të quhen speciale. U punua me dedikim, profesionalizëm dhe në shumë raste kundër shumë personave në SHP që janë përpjekur të na sabotonin në këtë drejtim.

Në pak kohë u mundësua:
– Pajisja me armatimin më cilësor në botë, brenda tre viteve janë blerë mbi 25 sisteme armatimi pistoleta, automatikë, shotganë, mitraloza, granatëhedhës dhe snajpera.
– Pajisja me pajimet më moderne për luftën në mal dhe operacionet speciale.
– Pajisja me të gjitha sistemet e luftës në det, pajisje zhytje me oksigjen, me qark të mbyllur, pajisje sulmi në anije, kërkim shpëtimi dhe 9 skafe modernë.
– Pajisje veshmbathje krejtësisht të njëjta me Forcat Speciale amerikane (sistemi i veshjeve me shtatë shtresa) që kurrë më parë nuk kishin ekzistuar në Shqipëri, duke i futur në organikë të saj.
– Pajisjet më moderne për ndihmën e shpejtë dhe luftën me mina.
– Pajisjet speciale të zbulimit, që u përdorën me shume sukses në misionet luftarake.
– Pajisjet e shikimit natën.
– 16 Kabinete cilësore dhe tre dhoma planizimi që nuk i kishte patur kurrë më parë BOS (kabineti operacioneve speciale në avionë, trena, anije, autobuzë, snajperit, shëndetësisë, zbulimit, planizimit taktik dhe operacional, xhenios, armatimit, operacioneve speciale në ndërtesa, alpinizmit, zhytjes, mbijetesës, parashutizmit, etj).
– U ndërtuan për herë të parë Qyteti Taktik, pas kërkesave të shumta në Ambasadën amerikane, poligoni i luftës në Shpella, poligoni i qitjes 300 m, poligoni i snajperave deri 1300 m, kulla taktike alpine, ndërtua shtëpia taktike me pesë dhoma, përshtatja e pishinës në Zall herr për stërvitje bordingu në anije, ndërtimi i depove të reja për të gjithë kompanitë dhe specialitetet, që nuk i kishte patur kurrë më parë, etj.
– Ndërtimi i një strukture operacionale të FS nga më modernet (modeli i SAS-it anglez që sot e kanë prishur) si: Kompania e Anti-terrorit, Operacioneve Speciale Ajrore, Operacioneve të Zhytjes dhe Kompania Alpine me shtabet e tyre që nuk kishin ekzistuar më parë.
– U përgatitën për here të parë programet për kurset për çdo specialitet (disa ishin të përgatiturra, por shumë të tjera të bëra për herë të parë).
– U përgatitën vetëm nga unë 18 manuale për stërvitjen e FS si psh: Doktrina e Forcave të Operacioneve Speciale të RSH, manuale për snajperin, operacionet speciale, luften në mal, çlirimin e pengjeve, shoqerimin, mbijetesen, skite, luftën në qëndrat e banuara, planizmit në nivel grupi, batalioni dhe Rregjimenti Special, katalogje për FS që u shpërndanë në të gjithë botën, etj.
– Filloi një bashkëpunim shumë i madh me FS amerikane, angleze, hollandeze, turke si kurrë më pare në drejtim të stërvitjeve me kohë të gjatë, pjesëmarrjes në shkollat jashtë, pjesëmarrjes në stërvitjet e FS të NATOs.
– Për herë të parë në Qershor 2012, BOS-i zuri vendin e parë në garat e zhvilluara për herë të parë në Ballkan në mes FS të Ballkanit, duke u përfaqësuar madje dhe më mirë se Turqia, Greqia dhe Sërbia.
– U shtua 400 % ndihma amerikane si pasojë e përfshirjes në misione luftarake.
– Filloi pjesëmarrja për herë të parë në misionet luftarake me misionet “Eagle 1-8” të cilat i kisha premtuar që në ditën e parë të punës në atë njësi, duke e kthyer BOS-in në ambasadën më të shquar të Shqipërisë dhe kryefjalën e çdo personaliteti politik nderkombetar që vizitonte Shqipërinë në vitet 2010-2013.

Që nga nëntori 2013, asnjë pajisje tjetër nuk është futur në repart, përkundrazi.

Të gjitha këto arritje kanë ardhur si pasojë e mbështetjes së vazhdueshme dhe vizionit te Ministrave të Mbrojtjes Fatmir Mediu, Gazmend Oketa, Arben Imami dhe SHSHP Gjeneral Xhemal Gjunkshit, të cilëve me këtë rast i shpreh mirënjohjen më të thellë.

Kjo ka bërë që shumë personalitete duke filluar që nga Komandandi i Forcave Speciale të NATO-s, Forcave Speciale Amerikane Gjeneral Leinant Frank Kisner, Gjeneral Leitnant John Mullholland që të më cilësonin si “babain” e Forcave Speciale moderne në Shqipëri”.

Sot fatkeqësisht ndjehem shumë keq kur shijoj që reparti është hequr nga misionet luftarake dhe misioni i tij i ri, është pastrimi i plehrave.

Ju mungojnë shokët…?

Më mungojnë shumë shokët e mire, besnikë dhe ata që janë mirënjohës, me të cilët pata kënaqësinë, fatin, privilegjin dhe përgjegjësinë të kaloj 7 vitet më të bukura të karrierës ushtarake, ti drejtoj në luftë, në misionet e stërvitjet brënda dhe jashtë vendit. Por dhe në SHBA jam shumë i angazhuar dhe kam miq të shumtë, si nga ata që janë pjesë aktive e politikës amerikane, senatore, kongresmenë, akademikë të ndryshëm në universitete, por dhe në komunitetin Shqiptar të Miçiganit, Neë Yorkut dhe Çikagos.

Ushtria e Shqipërisë ka kaluar përmes një reforme të thellë duke arritur në këtë që është sot, asnjë avion, disa helikopterë transporti, katër anije patrullimi dhe mjete të këmbësorisë. A është më funksionale kështu kjo ushtri?

Padyshim që kjo ushtri nuk është më operacionale si më parë. Asnjë parti nuk e ka mbështetur siç duhet ushtrinë dhe efektivat e saj, por në dallim nga ata që e drejtojnë sot ushtrinë, kam qënë një zë i fortë në drejtim të kërkesave të rritjes së rrogave, kushteve dhe dinjitetit të ushtarakut. Sot ushtria politikës shqiptare i duhet vetëm për propagandë, perfitike politike se kur vjen puna për të investuar ne te, ushtria i duket e tepërt. Sistemi i sigurisë dhe i mbrojtjes kurrë nuk ka qënë më keq sesa këto tre vite.

U ndërmarrën shumë reforma nga viti 2000-2013, si pasojë e së cilave u mundësua anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, por mbas viteve 2013, ushtria iu nënshtrua një diktature të mirëfilltë, u hoqën efektivat më shkolluar, më me eksperiencë, u politizua frikshëm, filloi një luftë klasash e panevojshme, u rimbush me oficerë sigurimi të pensionuar me kohë, u vodhën, shitën apo grabitën të gjithë pronat e saj, u mbyllën misionet luftarake, u prish krejtësisht sistemi arsimor, u ul me nën 0.80% të GDP-së buxheti i mbrojtjes, u larguan nga puna të gjithë profesorët, u shtua korrupsioni në nivele të papara ndonjëherë dhe sot ndodhemi këtu ku jemi dhe ushtria përdoret për pastrime plehrash.

Nga ajo që shoh në CV-në tuaj, mund të thuhet se jeni një “Makinë Lufte”. I tillë jeni edhe në jetën e përditshme?

Po jam shumë aktiv dhe kam shumë projekte për të ardhmen. Deri sot çdo objektiv që i kam vënë vetes e kam realizuar. Tani së fundmi jam dhe më i motivuar, pasi dhe familja ime ndodhet përfundimisht në SHBA. Në saj të punës, arritjeve të mia dhe eksperiencës luftarake të fituar në rreth 3 dekada, kam marre ftesa të shumta për aktivitete akademike, seminare dhe konferenca shkencore për LKT, intervista në mediat amerikane, kurse dhe stërvitje speciale, bashkëpunime me qëndrat “Think tank” dhe madje dhe për pjesëmarrje të drejtëpërdrejtë në politikë.

Çdo ushtarak, ka momentet e tij më të vështira në fushën e betejes, cili ka qenë momenti juaj më i vështirë në misionet që keni drejtuar në Afganistan dhe Irak?

Padyshim humbja e Kapiten Feti Voglit. Momenti më i vështirë ka qënë kur kam shkuar në shtëpi për të lajmëruar prindërit dhe bashkëshorten e Kapiten Voglit, njerëz të shkëlqyer, patriotë por dhe me shumë dinjitet.

E rëndë ka qënë dhe humbja e kolegëve Ibrahim Basha dhe Marenglen Bramati. Ajo që më mërzit tani jashtë mase, është se specialët drejtohen nga kolegë që kanë frikë të hapin gojën para eprorëve të tyre. Specialët janë lënë pa mision dhe kjo i dëmton jo vetëm nga ana materiale, por dhe nga ana e gatishmërisë luftarake, përditë largohen njerëz që i kanë dhënë shumë kombit, ndërsa krerë e Ministrisë së Mbrojtjes i përdorin për pastrime nëpër Shqipëri.

Personalisht jam përlotur duke ju dëgjuar nga televizori teksa thërrisnit tre herë emrin e Kapiten Feti Voglit në ceremoninë e varrimit përpara grupit tuaj special në datën 25 Shkurt të vitit 2012. A thyhet një ushtarak si ju teksa shoqëron për në banesën e fundit shokun e tij të frontit?

Ka qënë një moment shumë i vështirë dhe mezi i kam përmbajtur lotët. Uroj me gjithë shpirt që ajo të jetë hera e fundit. Unë mendoj që një ushtarak profesionist nuk thyhet, por ajo që të thyen dhe të zhgënjen pa masë deri në përbuzje, është përdorimi nga politikanë perversë i këtyre ngjarjeve, të cilët në raste të tilla vdekjesh (si dhe në rastin e pilotëve trima që vdiqën në Shkodër) i përdorin për përfitime politike.

E vërteta është se asnjë politikan e ca më shumë këta që janë tani në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, nuk e vlerësojnë aspak punën tonë që ne kemi bërë atje. Shkatërruan çdo gjë të mirë që kemi bërë dhe hoqën njerëzit më të aftë e të vlerësuar nga amerikanët.

Sot, disa vite më pas, a mund të themi se Feti Vogli nuk ishte viktimë e një prite nga talebanët, por viktimë e diferencave të forta kulturore mes afganëve dhe shqiptarëve, e cila mund të ketë sjellë një keqkuptim me pasoja të rënda?

Ajo që mund të them unë sot është se Kapiten Vogli është një ushtarak, shok i shkëlqyer, i cili fatkeqësisht nuk pati fatin ashtu siç e patën dhe ne. Ai rrezikoi shumë për një gjë, që duke e analizuar me hollësi dhe ftohtë sot, nuk ja vlen aspak.

Cili nga ne që rrezikoi jetën u vlerësua nga këta që drejtojnë sot Ministrinë e Mbrojtes?
-Asnjë.

Vetëm servilët, të paaftët dhe hajdutët. Pra duke analizuar këtë, them me shumë bindje sot se nuk ja vlen të rrezikosh aspak për këtë lidership. Shiko trajtimin, arrogancën, injorancën e Ministrisë së Mbrojtes dhe SHP dhe pastaj analizo pagesën e specialëve, ushtarakëve, etj., sot ata nuk kanë as vlerësim, as pagesë as dinjitet.

Para një viti keni botuar një libër me titullin “Nëpër Labirintet e Shtetit Islamik”, a rrezikohet vendi ynë nga ky grup terrorist?

Shteti Islamik është një kërcënim shumë i madh jo vetëm për ne shqiptarët, por dhe më gjerë. Ajo që është e rëndësishme të kuptohet nga lidershipi Shqiptar, është se duhet urgjent të ngrihen strategji të reja antiterrorizmi, si pjesë e Strategjisë Kombëtare apo dhe asaj Ushtarake, të rritet niveli i bashkëveprimit midis agjensive të ligjit, kapacitetet operacionale të agjensive ligjzbatuese, njësive speciale dhe të inteligjencës, të rriten kushtet ekonomike të tyre, të pajisen, të stërviten më mirë, etj në mënyrë që të jenë të afta të reagojnë kur dhe si duhet.

Shihni sot se ç’kapacitete kemi, nuk jemi në gjendje të vendosim rregull dhe kontroll në territorin e Shqipërisë, i cili është mbushur në çdo vend me drogë, fenomen i cili sot mund të mos vlerësohet si rrezik dhe kërcënim, por nesër, do të jetë vonë. Një nga problemet kryesore sot në botë është lufta kundër drogës, trafiqeve pasi dihet se krimi i organizuar është shumë i lidhur me grupet terroriste dhe sulmet terroriste.

Ju keni edhe botime të tjera në këtë fushë…

Kam 15 vite pa pushim që shkruaj, pasi mendoj se ata që shkruajnë lënë vepra, gjurmë dhe nuk harrohen lehtë. Në familjen time ka shumë akademikë dhe Prof Dr që i kanë shërbyer Kombit Shqiptar.

Para dy vitesh promovova një botim, analizë strategjike të misionit të ISAF-it mbi konfliktin 14 vjeçar në Afganistan, “Afganistani një paqe e vështirë” 450 faqe. Vjet botova librin e parë në rajon për Shtetin Islamik, “Nëpër Labirintet e Shtetit Islamik” 460 faqe, një libër që analizon jo vetëm historikun, strukturën, TTP-të, etj por dhe se si mund të luftohet “fenomeni” ISIS, në Siri, Irak, Libi, Jemen dhe më gjerë.

Këtë vit në muajin Korrik promovova botimin e dytë me 800 faqe, “Ushtria e Kalifatit të Terrorit-Strategjia dhe Taktikat” i pari në llojin e vet, i pabotuar askund deri me sot, që analizon një për një strategjinë e terrorit, strategjinë dhe dotrinën ushtarake, strategjinë e rekrutimit, doktrinën fetare, mediatike, burimet financiare, operacionet terroriste dhe si duhet të luftojmë kundër tyre, të 12 grupeve militante islamike dhe më lejoni t’u them se për 10 ditë del një tjetër studim i mirëfilltë shkencor 550 faqe në anglisht dhe shqip “Forcat Speciale dhe roli i tyre në luftën Asimetrike” që spjegon se si duhen përdorur këto forca në konfliktet e sotme dhe të ardhmes.

Padyshim që megjithëse kam 27 botime (doktrina, manuale, analiza strategjike, studime shkencore, katalogje) dhe 147 artikuj në revista, gazeta dhe konferenca ndërkombëtare, jam shumë i motivuar që të vazhdoj të kontriboj në këtë fushë, pasi kjo fushë është krejtësisht e virgjër në Shqipëri, madje dhe këtu në Amerikë ka vakum.

Mendoni të riktheheni në shërbim të Forcave të Armatosura?

Padyshim që do të kthehem në shërbim të vendit tim, në mos sot nesër. Jam i sigurtë që me këtë sistem të kalbur drejtësie që ka sot Shqipëria, nuk do të jetë e lehtë, por kam dhe kohën, eksperiencën, pjekurinë, mbështetjen dhe motivimin e duhur për ta realizuar. Nëse nuk do të kthehem me uniformë, do të marr angazhimet e mia në politikë. Mendoj se politika Shqiptare ka nevojë për njerëz të aftë, profesionistë, të arsimuar dhe të afirmuar jashtë shtetit në perëndim, të ndershëm që e duan vendin jo për tu pasuruar, por për njerëz që i kanë dhënë dhe që si kanë marrë asgjë.

Mendoj që ka ikur koha e deputetëve injorantë, trafikantë, vrasës, etj dhe ka ardhur koha e pastrimit të politikës nga këta mbetje dhe e atyre që i kanë futur ata në politikë. Më duhet të siguroj çdo koleg apo ish koleg në ushtri dhe jo vetëm, se kam qënë, jam dhe do të jem i vendosur deri në fund që të luftoj për ushtarakët, të jem zëri i tyre dhe se do të jem një “avokat” i pathyeshëm për të drejtat e tyre.

Kushdo koleg, civil, përfshirë dhe mimi kodhelin e jeronim bazon që ka abuzuar, firmosur, shkelur kundër ligjeve të shtetit shqiptar në kurriz të kolegëve tanë, do të përgjigjet një e për një përpara ligjit. Sot mund t’u duket se janë të fortë, të paprekshëm, por të mos harrojnë se e drejta do të fitojë një ditë.