Kush luftoi antifashizmin shqiptarët apo grekët?

Reciprociteti mbetet si e vetmja alternativë në këtë moment me rëndësi kombëtare. Në të gjithë këtë nxehtësi debatesh shqiptaro-greke, për varre ushtarësh, për Himarën, për mohimin e çështjes çame, për pronat e shqiptarëve në Greqi edhe për shumë të tjera, duket se ka një sens pozitiv në ndërkombëtarizimin e Çështjes Çame…

Nga Hyqmet Zane

Debati shqiptaro-grek për varret e ushtarëve grekë në territorin shqiptar, duket se ka hyrë në një zonë të nxehtë. E nxehtë për gjithë opinionin shqiptar dhe po aq për zyrtarët grekë që kanë filluar të hapin llogaritë e vjetra në një kohë të re për të ndëshkuar shtetin tonë në emër të interesave të tyre megaloidheiste. Sapo dëgjon për këtë debat dhe për numrin e ushtarëve grekë në Shqipëri në vitin 1940-1941, më lind vetiu pyetja se çfarë kërkonin këta ushtarë në territorin e pushuar nga Italia fashiste, kur sovranitetin e shqiptarëve e kishte shkelur fashizmi dhe vendi nuk kishte asnjë interes dhe asnjë mundësi të behej pjesë e një lufte kur ishte i pushtuar. Ajo që më bën çudi është fakti se ata, veteranët e Luftës Antifashiste të përfaqësuar nga Komiteti i Veteranëve, si nuk folën një herë për këtë të shkretin debat sa të padrejtë nga pala greke, aq edhe tinëzar dhe me një prapavijë të qartë antishqiptare. Në fakt unë mendoj se shteti shqiptar do të duhej të ishte më superior në këtë përgjigje që fshehin kërkesat greke për varre ushtarësh. Ajo që më bën shumë përshtypje është se përfaqësues të shtetit grek kërkojnë që në Shqipëri të ndërtohen edhe 8 mijë varre të ushtarëve grekë. Kjo kërkesë, veç atyre që janë ndërtuar afërsisht po kaq sa kërkohen tanimë, kjo hapur do të thotë që këta grekët paskan luftuar për Shqipërinë apo për Greqinë, përse nuk i marrin eshtrat e grekëve të vrarë e t’i çojnë në vendet nga ata janë në familjet e tyre në Greqi ?

Kështu u veprua me eshtrat e  ushtarëve italianë të vrarë gjatë kësaj lufte antifashiste, për të cilin shkrimtari ynë Ismail Kadare shkroi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” që u materializua edhe me një film nga Kinostudioja “Shqipëria e Re”. Shpesh bie në mendime dhe them se kaq greke sa janë vrarë sipas statistikave, që do t’i quaja mashtruese të Kalit të Trojës, nuk janë dëshmorë në Shqipëri. A thua se për çlirimin e Shqipërisë na paskan merita shumë më të mëdha grekët se sa shqiptarët. Ndërkohë që, nga ana e komunitetit çam përmes Shoqatës Çamëria dhe PDIU kërkohen për reciprocitet edhe Varrezat e shqiptarëve të kësaj krahine, grekët, jo vetëm që nuk i ndërtojnë, por as pranojnë ekzistencën e kësaj popullate në Çamëri, atëherë çfarë kërkojnë varrezat e grekëve në Shqipëri? Duhet thënë se gjithçka që thuhet e kërkohet nga pala greke ka në thelb një qëllim të mbrapshtë, atë të idesë për Greqinë e Madhe me territore shqiptare  me të ashtuquajturin “Vorio-Epir”. Janë të qarta këto synime greke se edhe kërkesat e  tyre bëhen pikërisht në jugun e Shqipërisë, që është edhe territori i synuar dhe për të cilin qajnë e lajnë grekët me gjithçka. Përkundër këtij realiteti duhet thënë se në shprehitë e gjysheve shqiptare, veçanërisht në territorin e  jugut të Shqipërisë përdoret shprehja “përse vrapon kështu more bir, sikur të ndjek greku prapa”. Duket se lufta nuk ka qenë përkundër Italisë pushtuese, por me idenë e një zaptimi me të ashtuquajturën teori serbe në betejën e Fushë-Kosovës, ku serbët e vrarë na u konsideruakan si banorë të atij vendi.

Pikërisht këtu, në këtë pikë të rëndësishme kanë të drejtën e Zotit edhe komuniteti çam përmes përfaqësuesve të vet politikë të PDIU-së që të kërkojnë ngritjen e varrezave të të vrarëve nga masakrat greke ndaj popullatës së pafajshme shqiptare të Çamërisë që ishte edhe “zgjidhja finale” për pastrimin e territorit të kësaj krahine, siç e ka cilësuar Prof. Dr. Sami Repishti në përmbledhjen e tij për Çështjen Çame me disa autorë. Janë rreth 3 mijë shqiptarë të Çamërisë, fëmijë e pleq, gra e burra të paarmatosur dhe të pambrojtur. Nëse toka e Çamërisë lëngon nga klithmat e masakrave të të vrarëve në mënyrat më çnjerëzore, ky fakt të drithëron e të kërkon për shpagim. Por kurrsesi nuk mund të mendosh për një gjë, të cilën çamët as nuk e kanë bërë dhe as kanë pasur mundësinë ta bëjnë se historiografia greke nuk ka regjistruar fakte të tilla. Paramithia, Filati, Margëlliçi e Gumenica flasin për një genocid ende të pandëshkuar dhe një Greqi zyrtare që mohon dhe më tej kërkon. Reciprociteti mbetet si e vetmja alternativë në këtë moment me rëndësi kombëtare. Në të gjithë këtë nxehtësi debatesh shqiptaro-greke, për varre ushtarësh, për Himarën, për mohimin e çështjes çame, për pronat e shqiptarëve në Greqi edhe për shumë të tjera, duket se ka një sens pozitiv në ndërkombëtarizimin e Çështjes Çame. Komisioneri Han apo Kryeministri Rama,  duket se po unifikojnë mendimin se në Europën e Bashkuar dhe demokratike nëse është, nuk shkohet me padrejtësi historike apo me mosndëshkim të genocideve të tipit mbi Çamërinë./Burimi:KohaJone