Kuvend, përplasje mes Xhaferit dhe deputetëve të VMRO-së

Ka vazhduar edhe sot debati mbi programin dhe përbërjen e re qeveritare, por pa mos munguar përplasjet mes kryeparlamentarit dhe deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Ilija Dimovski nga kjo parti ka theksuar se me vet faktin që Talat Xhaferi vetëm deputetëve të VMRO-së u drejtohet në gjuhën shqipe, paraqet provokim për të cilin siç u shpreh ai,  Xhaferi dhe shumica parlamentare duhet të mbajnë përgjegjësi dhe kjo sjellje e Xhaferit nuk çon në drejtim të normalizimit të situatës.

Dua të jem korrekt,  dhe të them para opinionit se ne nuk do të hymë në skenarë të provokimeve të cilët i shohim edhe sot. Nuk do të lejojmë të jemi pjesë e skenarëve të tilla, as të jemi të akuzuar për të njëjtit. Qëllimi ynë i mirë  u dëshmua dje, por vetëm nëse ka sjellje korrekte prej palëve tjera. Nëse ajo sjellje korrekte bie në nivel kaq të ulët të llojit të provokimit që bënë Talat Xhaferi dhe disa deputetë tjerë, atëherë kot kemi shpresuar për normalizim të situatës- tha Ilija Dimovski nga VMRO – DPMNE.

I menjëhershëm ishte reagimi i Xhaferit i cili theksoi se gjithnjë përderisa deputetët e VMRO-së nuk do e njohin si Kryetar dhe do t’i drejtohen si deputet, atëherë edhe ai do tu përgjigjet si deputet duke iu drejtuar në gjuhën shqipe.

Për pjesën e procedurales që ka të bëjë me mu, unë nuk di ndryshe si të drejtohemi përderisa më drejtohesh si deputet. Për faktin që jam deputet, jam deputet edhe këtu edhe atje. E kuptoj shumë qartë se duke qenë kryetar i Parlamentit, nëse dua ti drejtohem Parlamentit, e kam për obligim të dal atje. Derisa më drejtoheni përmes ndërhyrjeve  procedurale dhe deputetit Talat Xhaferi, un vetëm e kryej  obligimin tim zyrtar- u përgjigj krye parlamentar Talat Xhaferi.

 Deputeti i LSDM-së Pavle Bogoevski gjatë debatit tha se koha kur Maqedonia ishte shndërruar në një shtet privat të Gruevskit dhe familjes, dal ngadalë po përfundon.

Në këtë moment Maqedonia është shtet ku nuk sundon drejtësia. Mafia e cila deri këto moment sundonte, la pas vete sistem që është mësuar ti shërbej vetëm një njeriu. La pas vete vend ku qytetarët ishin  mësuar në vjedhje, gënjeshtra, dhe të përdorur si makineri e thjeshtë për votim- tha Pavle Bogoveski nga LSDM-ja.

Ndërkohë para fillimit të seancës për përbërjen dhe programin e qeverisë, pa prezencën e VMRO-DPPMNE-së vazhdoi seanca konstituive, me çrast deputetët votuan formimin e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Ndërsa më vonë me praninë edhe të VMRO – DPMNE-së por pa debat u votua edhe  vendimi për themelin e trupave të përhershëm punues të Kuvendit.

Blerim Ismaili