Kuvendi i Kosovës po debaton për Ramushin: ja kush po e quan të kotë seancën

Kuvendi i Kosovës sot po mban një seancë të jashtëzakonshme, ku ligjvënësit po diskutojnë për ndalimin e ish kryeministrit dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, nga policia franceze.

Vendimi për mbajtjen e seancës u mor të shtunën nga kryesia e Kuvendit me kërkesë të grupit parlamentar të AAK-së.

Por jo të gjithë e kanë mirëpritur mbajtjen e kësaj seance.

Deputeti i NISMA-s, Zafir Berisha, thotë se seanca për Haradinajn është e kotë. Madje, ai i quan qeveritarët “legena” të cilët sipas tij do ta shfrytëzojnë këtë seancë për të shitur patriotizëm.

Ideja për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit lidhur me Ramushin është ide koti e cila jo që nuk e ndihmon Ramushin po e ofendon atë sepse me këtë seancë i japim mundësi me shitë ‘patriotizëm’ edhe legenave të qeverisë të cilët e bëjn punën e një filjali të qeverisë së Beogradit dhe janë përgjegjës pse Ramushi është ndalu në Francë.  Për Ramushin i cili është përballë me situata si kjo, ka pasur seancë në Kuvend, ku ka pasur edhe rezolutë.Cili ishte efekti i asaj seance dhe rezolute? Zerooooo!”,thotë deputeti Berisha.

Ai thotë se është koha e fundit që të veprohet me përgjegjësi ligjore e kushtetuese dhe jo të veprohet sipas emocioneve të politikës ditore që sipas tij për fatin e keq në shumicën e rasteve kjo politikë dirigjohet nga Beogradi.

Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), seancën në fjalë e ka cilësuar vazhdim të seancave të  jashtëzakonshme “që nuk kanë prodhuar asnjë rezultat përveç fyerjeve, akuzave dhe kundërakuzave si dhe rritjes së rreme të adrenalinës patriotike”.

Pikërisht mungesa e një patriotizmi të vërtetë, dashurisë dhe përkushtimit për shtet dhe qytetarët e tij, prodhojnë situata kaotike dhe seanca të jashtëzakonshme krejtësisht të pafuqishme, të padobishme dhe të dëmshme”, thuhet në këtë reagim të këtij Këshilli.

Kreu i AAK-së është ndaluar më 4 janar në aeroportin e Baselit nga policia franceze, në bazë të një fletarresti lëshuar në vitin 2004 nga Serbia. /tesheshi.com/