Ky eshte Plani i Talatit për krijimin e Qeverisë

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha të enjten në Bruksel se “në rast se presidenti Ivanov nuk i jep mandatin, për qeverinë, shumicës parlamentare”, atëherë “Kuvendi ka të drejtën e tij të vendos për zgjedhjen e qeverisë së ardhshme”.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë i bëri komentet pas një takimi me komisionerin për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, në Bruksel, pak orë pasi, siç tha, i ka dërguar një letër njoftuese për “shumicën parlamentare dhe kryetarin e zgjedhur të Kuvendit” presidentit Ivanov dhe nga ai pret “mandatimin e kryeministrit të ri”.

“Ivanov e ka obligim që brenda dhjetë ditësh të reflektojë dhe ta jap mandatin. Nëse ai nuk e bën, edhe pse në mënyrë hipotetike e mendojmë tani, megjithëse e besoj se ai do të reflektojë në këtë drejtim, Parlamenti ka kompetencë ekskluzive për çështje të vendosjes së zgjedhjes së qeverisë së ardhshme. Në këtë rrafsh kompetenca e Parlamentit dhe e kryetarit të tij, nuk varet nga asnjë institucion tjetër”, tha Xhaferi.

Xhaferi tha se me letrën dërguar presidentit Ivanov fillon të rrjedhë edhe afati ligjor prej dhjetë ditësh “që Presidenti e ka për ta mandatuar liderin e shumicës parlamentare”.

Kryetari i ri i Kuvendit tha se, në rast të mos dhënies së mandatit nga Presidenti, “mandatari nga shumica parlamentare e ka për obligim që përpara shumicës parlamentare të dalë me propozim-program të qeverisë dhe me propozim përbërjen e kabinetit qeveritar”.