Ky është qyteti që ndalon shitjen e ujit me shishe plastike

Një qytet australian ka vendosur ti japë fund një trendi që në vend konsiderohet sa ekstravagant aq dhe i rrezikshëm. Bëhet fjalë për ujin me shishe. Bundanoon, qyteza 160 km në jug të Sidneit hyn në histori si vendi i parë në botë që ndalon shitjen e ujit me shishe plastike. Banorët e pritën me brohori lajmin që sipas tyre jo vetëm u kursen të holla, por shpëton dhe planetin Tokë. Festa filloi menjëherë pasi këshilli i komunitetit votoi njëzëri ndalimin e shitjes së produktit. Më herët në Nju Sauth Uejls ishte marrë një tjetër vendim kundër kësaj industrie. Aty të gjitha institucionet shtetërore u ndaluan të blejnë ujë me shishe duke e cilësuar diçka të tillë si harxhim të kotë parash dhe burimesh natyrore. Uji në shishe plastike u përhap në vitet ’80 si një alternativë më e shëndetshme ndaj pijeve të ëmbla. Sot ky produkt megjithatë shihet si një kërcënim mjedisor pasi shishet që nuk treten asnjëherë gjenden ngado ndërsa kompanitë prodhuese harxhojnë shumë energji për ti prodhuar e transportuar ato.